AlbanianEnglish

David Cuka finalizon projektin “999 portrete”

Nisma dokumentuese, pamore dhe e hapur, që përfshin gjithë krahinat, grupmoshat, besimet, përkatësitë gjinore dhe jo vetëm, realizuar nga fotoreporteri i njohur David Cuka, ka arritur në një pikë kulmore. 333 portrete me përmasa gjigande janë vendosur në sheshin “Skënderbej” me ekspozitën “We the people”, ku kurator është Elton Koritari.

Ky projekt që synonte realizimin e serisë gjithëpërfshirëse të portreteve shqiptare ka nisur që në gusht të vitit 2019.

Projekti lindi nga dëshira për të dalë përtej fotove që shohim në mediat sociale, të cilat në njëfarë mënyre i përmbahen të njëjtit standard të së bukurës dhe dëshiron ta përmbyllë me tre libra, ku do të gjendet secili portret i fiksuar për t’u bërë pjesë e kujtesës së një shoqërie.

Kjo është një iniciativë, të cilën artisti e ndërmori për të eksperimentuar me portretet e personave të ndryshëm, duke i takuar, duke bashkëbiseduar për jetën e tyre të përditshme dhe duke i reflektuar të gjitha rrethanat sociale në portretin e tyre. Për Davidin, pjesa e librit është shumë e rëndësishme jo vetëm për personat që ka fotografuar, por gjithashtu që të mbetet një dokumentim real i kësaj kohe që ne jetojmë.

Davidi ka punuar jo vetëm me pjesën e portreteve, por edhe pjesën e arkitekturës, ngjyrave, që mund të jetë një miks ndërmjet portretit dhe qytetit. Fokusi i punës së tij është përqendruar më shumë te stereotipet, duke dashur të tregojë dhe ndikimin e rrjeteve sociale tek secili nga ne.

Kjo ekspozitë përmbyllëse nuk është e para, por e treta.

Ekspozita “We the Peoples” do të qëndrojë hapur çdo ditë gjatë javës, ku pas sheshit “Skënderbej” do të vendoset edhe në sheshin “Italia” pranë stadiumit Air Albania. Nje pjesë e ekspozitës do të udhëtoje disa qytete të Shqipërisë gjatë javës së kombeve të bashkuara, Pukë data 26, Përmet data 27 tetor dhe Durrës data 28 tetor.

You don't have permission to register