
David Beckham ia ‘dorëzon’ Instagramin mjekes ukrainase
David Beckham i ka dorëzuar llogarinë e tij në Instagram një mjekeje ukrainase në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për përpjekjet humanitare në Ukrainë dhe se si njerëzit mund të dhurojnë për kauzën.
Duke vepruar në kapacitetin e tij si ambasador i UNICEF-it, një rol që ai e ka mbajtur që nga viti 2005, ikona e sportit ia dha llogarinë e tij Instagram Dr. Iryna-s, Shefes së Maternitetit Rajonal në Kharkiv, Ukrainë.
Siç shpjegon ai në videon e shkurtër 38 sekonda, Dr. Iryna dhe kolegët e saj në Ukrainë po ndihmojnë nënat shtatzëna të lindin të sigurta mes kaosit dhe pasigurisë së pushtimit rus, me paratë e mbledhura nga organizata si UNICEF që ndihmojnë për të paguar për pajisjet jetike, si gjeneratorët e oksigjenit, që janë thelbësorë për lindjen e fëmijëve.
“Sot po ia dorëzoj kanalet e mia sociale Iryna-s, Shefes së Maternitetit Rajonal në Kharkiv, Ukrainë, ku ajo po ndihmon nënat të lindin. Shikoni story-t e mia highlights në Instagram për të mësuar më shumë rreth punës së mahnitshme që Iryna dhe punonjësit e shëndetësisë si ajo, po bëjnë për të shpëtuar jetë në Ukrainë. Ju lutemi jepni atë që mundeni në UNICEF për të mbështetur njerëzit si Iryna duke përdorur link-un për dhurim në biografinë time.” ka shkruar ai në Instagram.
Duke i dhënë Dr. Iryna-s llogarinë me mbi 71.6 milionë ndjekësit e tij, Beckham i drejton njerëzit në historitë e tij në Instagram, ku mjekja informon mediat sociale për sfidat e kujdesit për nënat dhe të porsalindurit gjatë kohës së luftës.
Imazhi i parë tronditës që ajo tregon është bodrumi ku njerëzit duhej të evakuoheshin pas fillimit të bombardimeve në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, duke qenë një nga ata që u goditën më keq nga breshëritë e artilerisë ruse.
Dr. Iryna vazhdon të shpjegojë kushtet rrëqethëse në të cilat mjekët duhet të punojnë, duke mos qenë në gjendje të kujdesen për foshnjat intensivisht.
Ajo tregoi historinë e Yana dhe djalit të saj të vogël, Mykhailo, i cili lindi me probleme të frymëmarrjes dhe tani duhet të qëndrojë në strehat nëntokësore pasi shtëpia e tyre u shkatërrua gjatë bombardimeve.
Kjo është vetëm një nga shumë historitë për të cilët Dr. Iryna dhe Beckham po përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin, me postimin e tyre të fundit që përfundon me një thirrje për të tjerët që të dhurojnë për fushatën vendimtare të UNICEF-it në vend.