Dashuri në kushte jo të zakonshme, letra e burgut në destinacion pas 80 vitesh

Një letër e shkruar dhe e dërguar 80 vite më parë, në kushte jo të zakonshme, ka mbërritur në destinacion vetëm pak ditë më parë.

Kjo letër i përket ushtarit Pasquale Aloisio, me origjinë nga Mottola (Taranto) në Itali, i cili ishte kapur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i mbajtur në një kamp burgu afër Berlinit.

Ushtari kishte shkruar disa rreshta për gruan e tij të dashur, të cilën donte ta qetësonte për gjendjen e tij.

“E dashur Maria, shëndeti im është i mirë, ndaj mos u shqetëso për mua”, janë fjalët e tij.

Kryebashkiaku i Mottola-s Giampiero Barulli tregon historinë në Facebook, duke i bashkangjitur postimit të tij edhe imazhin e letrës, gjurmët e së cilës kishin humbur në shekullin e kaluar.

Janë disa rreshta të shkruara me zemër nga ushtari larg shtëpisë.

“Është viti 1943. Ka luftë dhe të gjithë djemtë janë në front për të luftuar. Midis tyre është Pasquale, një ushtar nga Mottole. Ai është në një kamp burgu afër Berlinit dhe i shkruan një letër, gruas së tij Maria, duke e qetësuar për gjendjen e tij shëndetësore, por letra nuk mbërrin në destinacion”, shkruan kryebashkiaku.

“Pasquale kthehet i padëmtuar nga lufta dhe jeton i qetë me gruan e tij duke rritur tre fëmijë. Kalojnë 80 vjet dhe në mënyrë të pabesueshme, një ditë ajo letër mbërrin në Bashki, dërguar nga një zotëri nga Firence”, vijon kryebashkiaku Barrulli.

Ajo kartolinë, e cila tregon një dashuri të madhe të penguar nga konflikti, iu dorëzua menjëherë vajzës së ushtarit Pasquale.

Letra u dërgua nga një prej kampeve gjermane të burgut Kriegsgefangenenlager dhe mban datën e 21 nëntorit 1943, ndërsa pulla ka datën 26 nëntor të po këtij viti.

Ushtarët e internuar në kampet e paraburgimit në atë kohë u detyruan të dërgonin kartolina për t’i njoftuar se ishin shëndoshë e mirë, edhe pse vuanin vështirësitë e robërisë.