DASH: Kosova dhe Serbia i zgjedhin vetë prioritetet për politikë të jashtme

“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikë të jashtme”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit. Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë këtë deklaratë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova, duke bërë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit. Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium, po ashtu njëvjeçar, mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.