
Dalja pa orar nga nesër. Këto janë masat që nuk ndryshuan nga Komiteti i Ekspertëve
Duke filluar nga dita e enjte, nuk do të ketë më orar të kufizuar për daljen. Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi vendimin ditën e sotme, pas analizimit të situatës epidemiologjike në vend. Kjo do të thotë se hiqet ora policore 23:00 deri në orën 06:00 dhe qytetarët tashmë mund të qëndrojnë edhe pas orës 23:00 jashtë.
Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli nga mbledhja me ekspertët rekomandoi vaksinimin tek fëmijët plus 12 vjeç.
Ndërkaq, mbeten në fuqi masa të tjera të vendosura kundër pandemisë së koronavirusit.
Qytetarët që janë të infektuar me virusin Sars-Cov2 do të qëndrojnë të izoluar për një periudhë 5 ditore.
Për të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Shqipëri vazhdon të mbetet në fuqi paraqitja e pasaportës së vaksinimit ose e testit PCR të bërë 72 orë përpara mbërritjes në kufijtë e Shqipërisë dhe për ata qytetarë shqiptarë që nuk i kanë këto dokumente vazhdon të mbetet në fuqi izolimi ashtu siç është e rekomanduar.
Përjashtim nga ky rregull vazhdojnë vijojnë të jenë vetëm fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
Në aeroporte do të vijojë që të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të vazhdojnë të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sikurse është e rekomanduar.
Vazhdon të mbetet në fuqi rekomandimi për mbajtjen e maskës në të gjitha ambientet e mbyllura dhe aty ku nuk mundet që të respektohet distanca.
Vazhdon të mbetet në fuqi masa për grumbullimet nëpër aktivitete kulturore, sportive, nëpër konferenca në masën deri në 30% të kapacitetit të strukturave ku ato zhvillohen.
Koha e vaksinimit anticovid ndërmjet dozës së dytë dhe dozës së tretë të vaksinës rekomandohet 5 muaj, ndërsa vaksinimi i fëmijëve rekomandohet për të gjithë fëmijët +12 vjeç.