
Dalin pamjet, Nichols u dhunua për vdekje nga policia në SHBA teksa thërriste nënën
Tyre Nichols po thërriste vazhdimisht nënën e tij, teksa dhunohej brutalisht nga pesë oficerë të policisë, tashmë të akuzuar për vrasjen e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Memphis.
Pamjet rrëqethëse tregojnë punonjësin 29-vjeçar të FedEx duke u grushtuar, shkelmuar dhe goditur me shkop për tre minuta gjatë një ndalimi nga policia afër shtëpisë së tij më 7 janar. Nga dhuna si ndërroi jetë tri ditë më pas.
Nichols duket të jetë i vetmi person i qetë i pranishëm, duke u thënë oficerëve: ‘Në rregull’ dhe ‘OK’ ndërsa ata e nxjerrin nga makina e tij, duke shtuar: ‘Ndalni, nuk po bëj asgjë’.
Ai arriti të ikte dhe të vraponte në distancë të shkurtër pasi u kërcënua me sprej piperi dhe një Taser, pavarësisht se nuk bëri rezistencë dhe u kap shpejt.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik amerikan. Oficerët janë kapur nga kamerat teksa godasin me grusht në fytyrë ndërsa 29 vjeçari është i dorëzuar dhe i pambrojtur ndërsa oficerët vijojnë dhe e shkelmojnë në kokë.
Mezi i aftë për të qëndruar në këmbë dhe pa rezistencë, një oficer tjetër është parë duke e goditur vazhdimisht me shkop. Ndërsa Nichols dëgjohet duke bërtitur vazhdimisht “Mami, mami” gjatë sulmit.
Nëna e tij ka thënë se djali i saj ishte vetëm 80 metra larg shtëpisë kur u rrah për vdekje.
Dy zyrtarë të zjarrfikësve ishin në vendngjarje me pajisje mjekësore, por ata thjesht qëndruan përreth duke parë ndërsa oficerët grushtonin. Ata pretendojnë se 29 vjeçari ka bërë sjellje që nuk janë kapur nga kamerat. Madje thonë se ai iu ka nxjerrë armën oficerëve të policisë.
Një tjetër oficer ka thënë se në makinën e tij nuk është gjetur asnjë sasi apo gjurmë të drogës, as armë.
Autoritetet nuk kanë lëshuar një raport të autopsisë, por ata kanë thënë se nuk kishte asnjë justifikim për ndalimin e të riut dhe asgjë e rëndësishme nuk u gjet në makinë.
Pesë oficerët – Tadarrius Bean, Demetrius Haley, Desmond Mills Jr, Emmitt Martin III dhe Justin Smith – të cilët janë të gjithë gjithashtu me ngjyrë, u pezulluan nga departamenti i policisë javën e kaluar.
Ata janë akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, sulm, rrëmbim, sjellje të pahijshme zyrtare etj. Sipas ligjit të Tenesit, vrasja e shkallës së dytë dënohet nga 15 deri në 60 vjet burg.
Drejtori i Policisë së Memphisit, Cerelyn ‘CJ’ Davis i përshkroi veprimet e pesë oficerëve si “të neveritshme, të pamatura dhe çnjerëzore”.
Geoffrey Alpert, një kriminolog në Universitetin e Karolinës së Jugut, i cili studion përdorimin e forcës, tha: “Policia është e trajnuar për të kuptuar se njerëzit mund të ikin vetëm sepse janë të frikësuar”.
Banorët e qyteteve amerikane janë përgatitur për protesta më të fuqishme. Protestat janë organizuar që të premten në mbrëmje në Boston, Çikago, Detroit, Neë York City dhe Portland, Oregon.
Familjarët e Nichols u bënë thirrje mbështetësve të protestojnë në mënyrë paqësore. Nëna e Nichols, RowVaughn Wells ka thënë: “Unë nuk dua që në të djegim qytetin tonë, të shkatërrojmë rrugët, sepse kjo nuk është ajo që djali im përfaqësonte. Nëse ju jeni këtu për mua dhe Tyren, atëherë do të protestoni në mënyrë paqësore”.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden tha se ishte i indinjuar dhe thellësisht i trishtuar pasi pa pamjet e dhunshme.
Ai foli me nënën e Nichols duke i thënë se do të ketë drejtësi dhe një akt për Drejtësinë. Legjislacioni, i cili ka ngecur, ka për qëllim të trajtojë sjelljen e keqe të policisë dhe forcën e tepruar dhe të nxisë përpjekjet për llogaridhënien federale dhe shtetërore.
“Asnjë nënë nuk duhet të kalojë atë që unë po kaloj tani, asnjë nënë, që të humbasë fëmijën e saj në mënyrën e dhunshme që unë humba fëmijën tim”.
*Tibo News