Conference League, Çuçi: Do bllokohet hyrja dhe qarkullimi në Tiranë

Hyrja për në Tiranë dhe qarkullimi i automjeteve brenda kryeqytetit do jetë e bllokuar të mërkurën, kur në ‘Air Albania’ do të luhet finalja e Conference League. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në një deklaratë për mediat u bëri thirrje qytetarëve nga rrethet të shmangin hyrjen në kryeqytet të mërkurën, nëse nuk kanë një biletë për ndeshjen.

Çuçi sqaroi se për ata që duan të dalin nga Tirana kjo gjë do t’ju mundësohet përmes korridoreve të daljes. Ministri u bëri thirrje bizneseve private dhe bankave që ta bëjnë pushim më 25 maj.

Ndërkohë, për administratën, përfshirë shkollat dhe kopshtet, e mërkura është shpallur zyrtarisht ditë pushimi. Finalja e Conference League, kompeticionit të UEFA-s, pritet të sjellë deri në 90 mijë tifozë që do të vijnë nga Italia dhe Holanda.