
Ç’ndodh me trupin tuaj kur e keni zemrën ‘e thyer’?
Kushdo që ka vuajtur ndonjëherë nga një zemër ‘e thyer’ e di se sa e dhimbshme mund të jetë. Por lëndimi shkon përtej ndjenjës së trishtimit. Një ndarje e padëshiruar, një divorc, humbja e një përsoni të dashur apo dhe dashuria e njëanshme mund të ndikojë në shëndetin tuaj fizik dhe mendor në disa mënyra: nga zakonet tuaja të të ngrënit dhe të gjumit, deri te humori dhe aftësia juaj për t’u përqendruar.
Nuk ka një përkufizim klinik për “thyerjen e zemrës” në vetvete, por njerëzit shpesh mund të përjetojnë simptoma të depresionit.
Simptomat e depresionit klinik përfshijnë humor depresiv apo humbje të interesit ose kënaqësisë. Së bashku me një nga këto dy simptoma, një individ duhet të ketë të paktën pesë nga simptomat e mëposhtme:
- humbje peshe
- shtim i paqëllimshëm në peshë
- probleme me gjumin
- ndryshime në lëvizje gjatë natës
- lodhje e pashpjegueshme
- të qenurit joproduktiv
- përjetimi i ndjenjës së fajit
- vështirësi për t’u përqendruar
- vështirësi për të marrë vendime
- mendime vetëvrasëse
Këto simptoma duhet të jenë ‘problematike’ dhe të zgjasin për të paktën dy javë që të mund të përcaktohet si diagnozë e depresionit shkaktuar nga ngjarjet që ju kanë thyer zemrën.
Së bashku me ndryshimet e humorit, ja çfarë ndodh me trupin tuaj pasi të thyhet zemra:
Zemra
Këto ngjarje të ngarkuara emocionalisht bëjnë që trupi juaj të çlirojë hormonet e stresit, kortizol dhe adrenalinë, të cilat rrisin përkohësisht rrahjet e zemrës dhe ngushtojnë enët e gjakut për të çuar më shumë gjak në thelbin e trupit në vend të ekstremiteteve. Presioni juaj i gjakut gjithashtu mund të rritet përkohësisht për shkak të stresit.
Në disa raste, një thyerje zemre shkatërruese, divorc ose humbje tjetër mund të çojë në një gjendje të rëndë shëndetësore të quajtur sindroma e zemrës së thyer, e njohur gjithashtu si kardiomiopatia e stresit ose sindroma takotsubo.
Edhe pse gjendja e përkohshme e zemrës mund të shkaktohet nga ngjarje emocionale stresuese të jetës, ajo gjithashtu mund të shkaktohet nga dhimbje fizike “të rënda” si pas operacionit ose simptoma akute gastrointestinale.
Lajmi i mirë është se, për shumicën e njerëzve, gjendja zgjidhet shpejt dhe pa ndonjë efekt afatgjatë. Megjithatë, në një numër të vogël njerëzish, gjendja mund të dobësojë rëndë muskulin e zemrës, duke çuar në probleme shëndetësore të tilla si anomalitë e ritmit të zemrës potencialisht kërcënuese për jetën (aritmi). Pra, mund të vdesësh nga një zemër ‘e thyer’.
Truri
Stresi i një ndarjeje të padëshiruar mund ta bëjë të vështirë përqendrimin. “hpesh një ndarje sfidon sigurinë tonë emocionale dhe ndjenjat e parashikueshmërisë në jetën tonë. Mendja jonë ka nevojë për kohë për ta përpunuar këtë dhe për të krijuar një ndjenjë të re sigurie dhe parashikimi, e cila mund të marrë kohë dhe të përqendrohet larg detyrave të tjera.
Një ndarje gjithashtu mund t’ju bëjë të ndiheni sikur keni dhimbje fizike. Një studim zbuloi se kur njerëzve të cilët së fundi kaluan një ndarje të padëshiruar iu shfaqën foto të ish-partnerëve të tyre, në tru aktivizohen të njëjtat zona që aktivizohen në rastin e dhimbjeve fizike.
Sistemi tretës
Pas një ndarjeje, mund t’iu duket se edhe ushqimet tuaja të preferuara kanë humbur shijen e tyre, ndërsa për të tjerët, është krejt e kundërta. Kjo ndodh sepse stresi i sjellë nga një ndarje rrit nivelin e kortizolit dhe adrenalinës, të cilat mund të çojnë në uljen e oreksit tek disa njerëz. Kur trupi juaj është në këtë gjendje, ai ju ndalon përkohësisht oreksin. Megjithatë, nëse nivelet e larta të kortizolit vazhdojnë, kjo mund të shkaktojë oreks të tepruar të shkaktuar nga stresi.
Mushkëritë
Nuk është imagjinatë nëse ju duket sikur e keni pak vështirësi më frymëmarrjen pas një ndarjeje. Kur nivelet e hormonit të stresit janë të larta pas humbjes së një marrëdhënieje, mund të ndikojë në ritmin tuaj të frymëmarrjes, duke çuar në gulçim ose frymëmarrje më të shpejtë. Disa mund të kenë ankth dhe sulme paniku gjithashtu.
Sistemi imunitar
Stresi, si për shembull pas ndarjes, mund të shkaktojë inflamacion dhe të dobësojë sistemin imunitar, duke i bërë njerëzit më të prekshëm ndaj infeksioneve. Hormonet e stresit mund të ulin limfocitet e trupit, të cilat janë qeliza të bardha të gjakut që ndihmojnë në luftimin e infeksionit.
Gjumi
‘Thyerja’ e zemrës mund të ndikojë në gjumin tuaj duke e bërë më të vështirë rënien ose qëndrimin në gjumë ose e kundërta, duke i bërë njerëzit të flenë shumë.
Njerëzit janë të ndryshëm në mënyrën se si e përballojnë dhe reagojnë ndaj stresit, disa njerëz mund të flenë më shumë si një formë arratisejej, të tjerët mund të përballen ndryshe, duke menduar më shumë gjatë natës dhe duke pasur probleme me gjumin.