Çmimet janë lajmësi, problemi është gjetkë

Kriza e shkaktuar nga rritja e çmimeve ka shkaqe dhe pasoja të ndryshme nga krizat e zakonshme ekonomike me të cilat jemi mësuar. Fokusi i protestave dhe qeverisë për të “kontrolluar çmimet” apo për të krijuar “lehtësime fiskale” nuk janë zgjidhja e duhur dhe rrezikojnë të përkeqësojnë krizën duke krijuar probleme afatshkurtra dhe afatgjata.

Ku ndryshon kjo krizë nga krizat e viteve të shkuara?

Gjeneralët e luftërave përmendin shpesh një parullë: “Mos lufto betejën e shkuar!” Fatkeqësisht, debatet ekonomike dominohen nga e njëjta parullë.

Në përpjekjet për të kontrolluar dëmet e shkaktuara nga rritja e çmimeve, protestuesit dhe qeveria duket se po luftojnë me një armik imagjinar dhe jo me krizën në fjalë.

Teknikisht, krizat ekonomike ndahen në by burime kryesore: kriza të kërkesës dhe kriza të ofertës.

Kriza tipike ekonomike me të cilat historia na ka mësuar janë ato të kërkesës. Kriza globale financiare e vitit 2008 dhe pasojat e saj në Eurozonë gjatë periudhës 2011-12 mund të shihen si ngjarje të tilla. Po ashtu, në pjesën më të madhe edhe kriza e shkaktuar nga mbyllja e lëvizjes për shkak të masave kundra COVID-19 mund të shihet si e tillë.

Krizat e kërkesës, pavarësisht shkakut fillestar, krijojnë panik dhe rillogaritje të shpenzimeve për qytetarët. Megjithëse kapaciteti prodhues, teknologjia, apo kapitali njerëzor i një shoqërie nuk pëson asnjë ndryshim, qytetarët limitojnë sasinë e konsumit të tyre duke rritur kursimet. Ndryshe nga një familje, në një shoqëri kjo krijon një efekt ciklik: konsumi i dikujt janë të ardhurat e dikujt tjetër.

Modeli më bazik i makroekonomisë, i kërkesës dhe ofertës agregate, e ilustron këtë lloj krize sipas grafikut të mëposhtëm. (Për njohësit më të mirë të teorisë, po lëmë mënjanë për momentin ndryshimet ndërmjet kurbës së ofertës agregate afatshkurtër dhe afatgjatë).

Oferta agregate – pra, kapaciteti prodhues i ekonomisë – qëndron e paprekur. Por kërkesa agregate pëson një zhvendosje nga pika fillestare A në pikën B. Kjo sjell një ulje të prodhimit por edhe të çmimeve (ose të paktën, ngadalësim të rritjes së tyre).

Goditja nga kërkesa në modelin bazik të kerkesës dhe ofertës.

Këto janë krizat tipike ku qeveritë ose bankat qendrore tentojnë të rigjallërojnë ekonominë nëpërmjet rritjes së shpenzimeve publike apo krijimit të lehtësive monetare dhe financiare. Thënë thjesht, për aq kohë sa kapaciteti prodhues i një ekonomie nuk është prekur, qeveria përpiqet të injektojë para në ekonomi për të mbushur hendekun e krijuar nga kursimet e qytetarëve.  Në grafikun e mësipërm kjo nënkupton spostimin e kërkesës agregate sërish nga kurba B drejt kurbës A. (Shënim: Teoritë e ndryshme që njihen si “keynesiane”, ndryshe nga sa mund të dëgjoni në diskutime politike e publike, kanë si synim të zgjidhin këto, dhe vetëm këto, lloj krizash. Përdorimi i emërtimit “keynesian” për politika të tjera ekonomike është i gabuar dhe nuk ka lidhje me synimet fillestare të teorisë.)

Kriza e çmimeve e fillimvitit 2022 nuk është një krizë kërkese. Ajo nuk është shkaktuar nga mungesa e likuiditetit. Qytetarët shqiptarë, apo ata në botë, nuk kanë filluar të kursejnë më shumë për shkak të pasigurive të shtuara. Përkundrazi, kërkesa në botë ka qenë në rritje pas verës së 2021-shit, kur shumica e kufizimeve të pandemisë u hoqën, dhe likuiditeti i injektuar gjatë pandemisë mund të shpenzohej lirshëm.

Kriza aktualë është një krizë e ofertës, pra e shkaktuar nga mungesa e produkteve në tregje. Kriza u shfaq në dy etapa. Fillimisht, sistemet e transportit në botë e patën të vështirë të përballonin ngarkesat e shtuara pas pandemisë, ndërkohë që kishte ende një numër të madh ngarkesash të prapambetura. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, lufta Ukrainë-Rusi prodhoi mungesë në disa produkte kyçe që ofrohen prej këtyre vendeve: naftë e gaz, metale, dhe drithëra. Siç tregon grafiku i mëposhtëm, një krizë oferte shfaq efekte të ndryshme nga kriza e kërkesës. Spostimi i kurbës së ofertës nga pika fillestare A në pikën e re B, duke ruajtur kërkesën konstante, shoqërohet me ulje të prodhimit por me rritje çmimesh. Thënë më thjesht, kemi të njëjtën sasi parash që po ndjek një numër më të vogël produktesh, duke shkaktuar rritje të çmimeve.

Goditje nga oferta.

A mundet të përballohen kriza të tilla me injektime likuiditeti nga institucionet publike, ashtu siç po kërkojnë protestuesit dhe po përpiqet të krijojë qeveria gjatë këtyre ditëve? Thënë shkurt, jo! Likuiditeti ka vlerë për aq sa produktet dhe kapaciteti prodhues i një ekonomie nuk janë prekur. Nëse në treg ka mungesë produktesh, paratë e injektuara nuk kanë asnjë veti për ta zgjidhur këtë problem. Përkundrazi, ato mund të përfundojnë duke rritur çmimin e produktit që ekziston në treg.

Çfarë ndodh nëse injektohet likuiditet në ekonomi për të stimuluar kërkesën teksa ajo vuan nga një goditje nga ana e ofertës.

E nëse qeveria përpiqet të caktojë me forcën e ligjit çmime tavan? Gjasat janë që të shkaktojë mungesa edhe më të thelluara të produkteve në treg.

Çfarë ndodh nëse qeveria përcakton çmime tavan në ekonomi teksa ajo vuan nga një goditje nga ana e ofertës.

Nëse mund ta shpjegojmë këtë krizë me një ilustrim, supozoni një ekonomi shumë të thjeshtuar ku ka 10 lek në total që përdoren për të konsumuar 10 mollë. Në këtë gjendje fillestare, çmimi mesatar është 1 lek për mollë.

Si pasojë e një krize, si p.sh. thatësire ose prishje infrastrukture, numri i mollëve të limitohet në 5. Çmimi mesatar në këtë rast do ishte 2 lek për mollë.

E përballur me krizën e rritjes së çmimeve, institucionet publike shtojnë paranë në qarkullim (në formë borxhi/printimi) duke e rritur sasinë e përgjithshme në 15 lek. Çmimi i mollëve tani do ishte 3 lek për mollë! Kjo sepse problemi nuk është mungesa e lekëve, por mungesa e mollëve.

Në vitet ’70, bota e zhvilluar u përball me një krizë të ngjashme, sërish e shkaktuar nga mungesa e naftës në tregje. Qeveritë e vendeve kryesore të botës u përpoqën të lehtësonin efektet e saj nëpërmjet stimulit monetar dhe financiare. Dështimi spektakolar i këtyre politikave jo vetëm që krijoi një emërtim të ri për krizën që shkaktoi, stagflacion, por hodhi themelet për të rikonceptuar tërë fushën e makroekonomisë.

Mësimet e vërteta të krizës

Mungesa e produkteve në treg nuk është një problem që mund të zgjidhet me shpenzime shtesë. Ajo tregon për probleme sistemike dhe të akumuluara në afatgjatë. Ato janë probleme të kapaciteteve prodhuese, teknologjisë, kapitalit njerëzor, strukturës së tregut dhe institucioneve – probleme të cilat kërkojnë zgjidhje të tjera. Nëse i referohemi grafikëve të mësipër, problemi kryesor që kemi është nevoja për të spostuar sërish ofertën agregate nga kurba 2 në kurbën 1. Thënë më thjesht, problemi i tregut shqiptar në këtë moment është aftësia jonë për të prodhuar dhe ofruar pak produkt në treg.

Si mund të zgjidhet kjo? Kjo është një pyetje që shkon përtej mundësive të një artikulli, por është e qartë që Shqipëria ka disa probleme strukturore në tregjet e rëndësishme që janë prekur nga kjo krizë.

Siç e shpjegova në artikullin e mëparshëm, ka arsye të besueshme për të menduar se tregu i hidrokarbureve në Shqipëri vuan nga mungesa e konkurrencës, duke limituar sasinë dhe çmimin në treg. Rritja e numrin të kompanive që konkurrojnë në të gjithë segmentet e tregut – furnizues, importues, shitës me pakicë – do të krijonte një treg më të shëndetshëm, pra do të rriste ofertën agregate në treg.

Po ashtu, ruajtja e rezervave strategjike është një fushë ku kuadri aktual rregullator duket se ka dështuar. Kompanitë private as nuk kanë kapacitete, dhe as nuk mund të marrin përsipër kosto për të ruajtur sasi të shumta nafte me çmime fikse. Në të kundërt, do kërkojnë me të drejtë përdorimin e çmimit fiks edhe nëse çmimi ndërkombëtar bie përtej atij niveli. Ruajta e rezervave strategjike është një fushë ku sektori publik duhet të luaj një rol më të qartë.

Megjithëse kapacitetet e prodhimit lokal besoj se mbivlerësohen në diskutimet publike, sërish mund të kishte luajtur një rol në lehtësimin sadopak të kësaj krize. Mbi të gjitha, shpërbërja e industrisë lokale, ka sjellë në humbjen e kapitalit njerëzor të akumuluar përgjatë viteve. Ky kapital, dhe jo makineritë e vjetra, janë humbja kryesore dhe një nga arsyet pse oferta agregate do vazhdojë te jetë e ulët në Shqipëri.

Akoma më e komplikuar duket situata në sektorin e energjisë, që po ashtu po ndikohet nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Në vitet 2014-15 qeveria nisi një fushatë të gjerë për të rritur arkëtimet në sektor dhe për eliminuar humbjet dhe vjedhjet. Arkëtimet duhet të shërbenin jo vetëm për të ulur borxhin që sektori kishte ndaj buxhetit. Mbi të gjitha, arkëtimet duhet të ishin burimi për investime strategjike që rrisnin kapacitetin prodhues dhe ruajtës të energjisë në Shqipëri.

Asnjë prej këtyre objektivave nuk janë arritur. Humbjet joteknike po fillojnë të rriten sërish, dhe po ashtu detyrimet financiare të sektorit ndaj borxhit publik janë sot më të mëdha së në vitin 2014. Asnjë investim i rëndësishëm strategjik për ruajtjen ose prodhimin e energjisë nuk është kryer. Procesi i gazifikimit, që duhet të vijonte pas ndërtimit të gazsjellësit TAP, nuk ka nisur ende. Ndërkohë revolucioni i energjisë së rinovueshme që ka prekur gjithë Evropën, në Shqipëri vetëm sa po fillon të diskutohet,  megjithë potencialin e lartë. Si rrjedhojë, vendi sot nuk ka të siguruara thuajse fare sasitë e energjisë që i duhen për muajt në vijim.

Bujqësia, që duhet të ishte një nga avantazhet konkurruese të Shqipërisë, duket po ashtu e paralizuar nga kriza aktuale dhe e paaftë për të përfituar nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sërish, problemet e sektorit janë më të thella se sa mund të mbulohen në një artikull, por duket se varësia totale për teknologji, fara, dhe plehra kimike nga importi përbëjnë një kosto të papërballueshme për prodhuesit shqiptar pikërisht teksa ata duhet të rrisnin prodhimin lokal. Paaftësia jonë për të krijuar përgjatë këtyre dekadave një sektor konkurrues dhe inovator në bujqësi, të aftë për tu përballur me sfidat teknologjike, duket se e ka lënë tregun zbuluar sërish në një moment krize ndërkombëtare.

Pyetja finale që më ka rastisur gjatë këtyre ditëve, është nëse vërtet buxheti i shtetit nuk mund të përdoret për një krizë të tillë. Siç e shpjegoj në artikullin e mëparshëm, një ndihmë fiskale ngushtësisht e shënjestruar drejt shtresave në nevojë vështirësohet për shkak të sistemit tonë tatimor i cili nuk bazohet mbi taksat e të ardhurave por mbi mallrat e konsumit. Thënë shkurt, administrata shqiptare ka njohuri të limituara për të përcaktuar të ardhurat e individëve, e kësisoj për të përcaktuar se cilat janë vërtet shtresat në nevojë. Siç e tregoi skandali me të dhënat e të ardhurave, Shqipëria ka ende administratorë kompanish të mëdha që zyrtarisht marrin vetëm pagën minimale prej 30,000 lek në muaj. Ulja e taksave mbi të ardhurat, të pakta dhe aq sa janë, do të shkonte përtej qëllimit fillestar. Problemi themelor i sistemit tonë mbetet paaftësia, pamundësia, dhe mungesa e dëshirës për të gjurmuar pasurinë e individëve, sidomos në shtresat e larta të shoqërisë.

Nga ana tjetër, ulja e përgjithshme e taksave mbi produktet e konsumit (si TVSH apo akciza) do të krijonte probleme akoma më të thella për borxhin publik, ndërkohë që normat e interesit po rriten botërisht duke e bërë më të vështirë shërbimin e tij. Aq më pak është e rekomandueshme që taksa të tilla të lëvizin vazhdimisht në përgjigje të çdo lloj situate me të cilën përballet ekonomia. Ato duhet të bazohen në një strategji afatgjatë e jo të ndryshojnë vazhdimisht duke shkaktuar paqartësi dhe pasiguri.

*Ky artikull është punuar nga ekonomisti Endrit Yzeiraj dhe është ribotim prej Ekon.al.