AlbanianEnglish

“Çimka” si reflektim për të shkuarën

“Duhet ta kujtojmë historinë dhe të punojmë që të mos përsëritet”.

Ishte pikërisht ky mesazhi që donte të servirej me shfaqjen “Çimka”, në Muzeun Kombëtar “Shtëpia e Gjetheve”, në maj.

Kjo ishte një vepër e pazakontë pasi solli një pasqyrim për të kaluarën e popullit shqiptar dhe një thirrje për reflektim.

Takimi i publikut me shfaqjen u bë për herë të parë, në mbrëmjen e 1 majit, emocione të pazakonta në premierën, me autor Shpëtim Selmanin dhe regji të Zana Hoxhës

E veçanta e kësaj vepre teatrale është ndërveprimi i aktorëve me publikun, jo e rehatshme në një nga karriget përballë, por një shfaqje e lëvizshme ku publiku ndjek hap pas hapi gjithçka që ndodh.

Publiku “gjeth” ose “çimkë” ka përjetuar njëkohësisht dy botë paralele, diktaturën në Shqipëri dhe regjimin jugosllav në Kosovë.

“Kjo është një shfaqje, që për publikun është interesante, jo vetëm për publikun, por edhe për ne që e luajmë sepse luhet në muze. Kjo është e veçanta e kësaj shfaqje. Patjetër që preket një pjesë e historisë shqiptare që është shumë e rëndësishme, siç është komunizmi dhe padyshim që për mua është kënaqësi sepse si të thuash gërmoj në historinë e vendit tim. Është një pjesë që unë nuk e kam jetuar sepse kam lindur më 1982-shin, kështu që nuk kam një kujtesë të madhe të asaj kohë, por sigurisht kur luan role të tilla, kupton se sa shumë njerëz kanë vuajtur, se sa shumë njerëz kanë vdekur dhe se sa e dhimbshme është ajo pjesë e historisë dhe sa mirë bëjmë ne që e kujtojmë për të reflektuar”- tregoi Loredana Gjeçi, një nga aktoret protagoniste te “Çimka”.

“Çimka”, emërtimi i kësaj shfaqje, nënkupton kontrollin e regjimit mbi popullin dhe kjo tregohet përgjatë gjithë skenave.

Është pikërisht kjo që e lidh me vendin ku zhvillohet dhe shtëpia e kësaj vepre teatrale do të jetë veç “Shtëpia e Gjetheve”, nuk do të risillet në asnjë vend tjetër.

Protagonistët janë simbole të rezistencës në mënyra të ndryshme, dikush si rapsod, një qëndrestar përmes këngës, e tjetra një aktiviste, artiste disidente që dha jetën pa e humbur integritetin.

Ëndrrat, dashuria për lirinë dhe jetën, këngën dhe vallëzimin, kulmojnë në takimin e Dervishit dhe Musinesë,  të dy viktima të regjimeve në të dy anët e kufirit, njëri të Jugosllavisë, e tjetra të komunizmit.

Musine Kokalari erdhi si interpretim nga aktorja Xhulia Musagalliu e cila tregoi për Tibo News se si ishte rruga e saj, si pjesë e një brezi që nuk ka jetuar në atë periudhë, për të sjellë personazhin me të njëjtat parime, rebelizëm, drejtësi dhe mendim për jetën.

“Me thënë të drejtën është sfidues sepse brezi jonë nuk e ka përjetuar si eksperiencë, përveçse e kemi dëgjuar nga brezat tanë të vjetër, pra mami, babi, gjyshërit.

Ishte shumë interesant procesi kërkues, duke qenë se ne jemi bazuar në disa personazhe shumë stoikë të historisë, siç është rapsodi Dervish Shaqja apo disidentja Musine Kokalari dhe pse roli i Musinesë në vetvete është thjeshtë një inspirim nga Kokalari, pra nuk është se ajo luan atë, por mund të themi se është një Musine tjetër duke jetuar në të njëjtën periudhë të Musinesë, me të njëjtat parime dhe rebelizëm.

Ka qenë shumë sfidues si proces, si nga ana e kërkimit, ashtu dhe nga ajo artistike, pra ana aktoreske, interpretimi.”

Kjo shfaqje, të veçantë kishte dhe ndërthurjen mes vështirësive që po kalonte Shqipëria dhe Kosova njëkohësisht.

Personazhet u përballën me fuqinë e regjimeve totalitare ndërsa publiku u bë dëshmitar i shtypjes së lirisë dhe jetës nga regjimet në Shqipëri e Kosovë.

Shqiptarët e Kosovës u nisën drejt vëllezërve të tyre shqiptarë , por ajo që i pret, nuk ka aspak të ngjarë me atë që ata imagjinonin.

“Roli që kam luajtur unë në shfaqje Demushi dhe Dervishi që ka luajtur kolegu im, është ngjarje e vërtetë që kanë ikur prej pushtimit jugosllav dhe kanë ardhur këtu në Shqipëri.

Kur kanë ardhur kanë menduar se Shqipëria është vendi ideal për ta, por janë zënë ngushtë me komunizmin. Ne kur kemi ardhur këtu kemi pasur problem me kuptimin njëri me tjetrin, por që e arritëm me kohën”

Në fakt duket se Edlirit i ka shijuar bashkëpunimi me teatrin e Shqipërisë dhe pritet që projektet e ardhshme, pse jo, të jenë gjithashtu të përbashkëta.

“Është një eksperiencë komplet ndryshe sepse unë punoj në Prishtinë si aktor dhe është bashkëpunimi im i parë me teatrin e Shqipërisë.

Si ndjenjë është shumë e veçantë dhe shpresoj që të mos jetë projekti i fundit ky, por vetëm fillimi dhe të mos ndalemi këtu.

Ka fjalë që do të bëjmë projekte prapë  , ndoshta në dy vitet e ardhshme, por e mira është që do të ketë projekte.”-  tregoi Edlir Gashi.

Kjo shfaqje, e cila ngjalli shumë interes te publiku, duke sjellë emocion, reflektim dhe edukim për publikun e gjerë,  mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Shtëpia e Gjetheve, Zyra e Presidentes së Kosovës, CFD dhe Buçaj.

 

 

You don't have permission to register