Çifti Obama kthehet me nderime në Shtëpinë e Bardhë

“Kur brezat e rinj të ecin në këto korridore dhe të shohin këto portrete, shpresoj që të marrin ndjesinë e sinqertë të asaj çfarë unë dhe Michelle ishim,” – u shpreh Obama.

Barack Obama, dhe bashkëshortja Michelle, u kthyen së fundmi në Shtëpinë e Bardhë në një ceremoni ku u prezantuan portretet e tyre zyrtare të kohës kur ishin në detyrë presidenciale.

Ceremonia u mbajt më shumë se 5 vite pasi ish-Presidenti la zyrtarisht zyrat teksa gjithçka u organizua nga presidenti aktual Joe Biden, i cili shërbeu dy mandate si zëvendës-president i Obamas.

“Shumë pak njerëz që kam njohur janë me të tillë integritet dhe mirësjellje si Barack Obama, asgjë nuk mund të më përgatiste më mirë se sa tetë vitet që isha krah jush për të qenë President, e them këtë përzemërsisht,” – tha Biden.

Po kështu Obama e falënderoi Biden-in për mbështetjen.

“Falë mirësjelljes suaj, forcës suaj e mbase më shumë nga gjithçka falë besimit tuaj te demokracia dhe populli ynë, vendi është më mirë tani se përpara se të ishit ju në detyrë, për këtë duhet të jemi tejet mirënjohës,” – u shpreh Obama.

Artisti Robert McCurdy pikturoi një Barack Obama në stil foto-realist, me kostum të zi dhe krevatë të hirtë ndërsa Michelle Obama është pikturuar në një fustan bojë qielli në dhomën Ovale. Ajo është pikturuar nga artistja Sharon Sprung.

Ish-Zonja e parë  reflektoi mbi ndikimin që mund të kenë portretet e pikturuara.

“Ajo që shohim është një kujtesë se në këtë vend ka një vend të caktuar për këdo, prandaj për mua kjo ditë nuk është për ne, apo për këto piktura të bukura, por për të thënë gjithë historinë, historinë që përfshin gjithë amerikanët e këtij vendi, në mënyrë që fëmijët të shikojnë diçka të tyren,” – u shpreh Michelle.

Zakonisht një ish-President kthehet për shfaqjen e portreteve zyrtare në mandatin e pasardhësit të tij, por administrata e Donald Trump nuk mbajti kurrë një ceremoni të tillë.

Përpara se të fitonte zgjedhjet në vitin 2016, Trump ngriti pretendimet se Obama nuk kishte lindur në SHBA dhe për këtë nuk duhej të kishte qenë President.