Çfarë të bëni kur e kaloni masën me ushqimin

A ju ka ndodhur të hani diçka të pashëndetshme apo thjesht ta teproni me ushqimin dhe të ndiheni keq më pas?

“Qëllimi është t’i kushtoni vëmendje sinjaleve për uri para se të hani. Është si të kontrolloni nëse makina ka mjaftueshëm karburant para se të nisni një rrugë”, thotë Michelle May, autore librash, nutricioniste.

Ka disa mënyra për këtë:

Bëni një pauzë përpara se të hani

“Çelësi është ndërgjegjësimi”, thotë May. Kur të doni të hani, gjithmonë ndaloni në atë moment midis dëshirës për të ngrënë dhe të ngrënit në të vërtetë. Këtu do të kuptoni nëse jeni të uritur apo thjesht të mërzitur, të lodhur, të stresuar apo të etur.

Bëni një skanim: Trup-Mendje-Zemër

Vini re ndjesitë e ndryshme në trupin tuaj. Shpesh tensioni në qafë apo shpatulla, mund të sinjalizojë ankth dhe stres, jo uri.=

Për mendjen, nëse produktiviteti juaj është i dobët dhe e gjeni veten duke menduar se çfarë ka në kuzhinë, me siguri nuk jeni të uritur, thjesht jeni mërzitur duke mësuar, punuar etj.

Për zemrën, dëgjoni emocionet tuaja

A ndiheni të lodhur nga një natë e vonë, ku po punoni për të mbyllur një punë me afat kohor të caktuar? Ankthi juaj mund të krijojë “uri në kokë” (head hunger). Mendojini këto përpara se të hani. Nëse nuk jeni me të vërtetë të uritur, do të hani dhe nuk do të ndiheni të kënaqur, pasi nuk po adresoni rrënjën e vërtetë të problemit, duke bërë që të hani gjithnjë e më shumë.

Adresoni nevojat tuaja

Dilni jashtë për një shëtitje rreth lagjes për të lehtësuar disi stresin, shtrihuni për pak gjumë rreth 20-minuta, ose pini një gotë ujë për të eleminuar etjen e zgjatur.

Ushqeni urinë tuaj të vërtetë! Vini re apo e kërkoni ushiqmin si një rehati emocionale apo jeni vërtet të uritur. Nëse jeni të trishtuar dhe doni një përqafim, lini veten të qajë, në mënyrë që të ndiheni të lehtësuar. Nëse keni frikë dhe dëshironi siguri, pranoni se si ndiheni. Ushqejeni urinë emocionale me dashuri për veten dhe jo kalori boshe.

“Mund t’ju duhen vetëm disa momente për t’u ri-përqendruar”, thotë May.

Nëse edhe pasi bëni këtë, ju duket se uria juaj është rritur (dhe nuk keni ngrënë më herët), atëherë kemi të bëjmë me oreks/uri dhe jo diçka tjetër.

Kujtojini vetes çfarë do ndodhë më pas

Kjo nuk është hera e parë që ju ndieni dëshirën për të kënaqur urinë emocionale dhe mund të mos jetë e fundit. Por, si do ndiheni pas kësaj? Thuajini vetes:

“Nëse e bëj këtë, më pas ndoshta do të ndihem i/e zhgënjyer, i/e fryrë.

Kujtoni se të hash edhe pjesën e mbetur të tortës mund të ndihet mirë në moment, por kjo ndjenjë e mirë nuk do të zgjasë shumë më pas.

Asgjë nuk është absolute

Ju mund të jeni të vetëdijshëm se nuk jeni të uritur fizikisht, por përsëri ta teproni me ushqimin në një ditë të caktuar. Të gjithë e bëjmë herë pas here dhe nuk ka pse të ndihemi fajtorë për këtë.

Mbi të gjitha, besoni në veten tuaj. Besoni në forcën tuaj të brendshme. Besoni në aftësinë tuaj për të trajtuar gjithçka në jetën tuaj, pa u kthyer te ushqimi.