Çfarë po ndodh me familjet shqiptare?

Familjet shqiptare po reduktohen me 1 dhe 2 fëmijë. Sociologët thonë se kjo tendencë e familjeve shqiptare për të patur më pak fëmijë lidhet me disa arsye.

“Kemi martesa të vona, lindjen e parë në moshë të madhe dhe nuk është më mbështetja e familjarëve për të ndihmuar në rritjen e fëmijës. Janë probleme social-ekonomike”.

Për të stimuluar lindshmërinë, qeveria vendosi dhënien e bonusit të bebes për cdo foshnje të lindur. Për sociologët, kjo nismë shihet si pozitive, por duhet të zgjerohet mbështetja për familjet e reja.

Sipas të dhënave nga 23 mijë lindje brenda dhe jashtë vendit për vitin që lamë pas, më shumë se gjysma kanë përfituar bonusin e bebes për lindje të parë dhe të dytë dhe shumë pak për fëmijë të tretë apo të katërt.

Ky trend vihet re pothuajse njësoj gjatë tre viteve te fundit. Që prej 2019 në Shqipëri kanë përfituar 56 mijë foshnje bonusin.

Sipas vendimit të qeverisë, fëmija i parë përfiton 40 mijë Lekë, ndërsa fëmija i dytë 80 mijë lekë, i treti 120 mijë Lekë.

Edhe për fëmijë të katërt e në vazhdim, bonusi i përfituar është në vlerën 120 mijë Lekë.