
Çfarë po e pengon Finlandën dhe Suedinë të bëhen pjesë e NATO-s?
Pas pushtimit të Ukraniës, Rusia kërcënoi Finlandën dhe Suedinë se do të kenë pasoja të rënda politike dhe ushtarake nëse i bashkohen NATO-s. Ishte zëdhënësja e ministrisë së jashtmë ruse, Maria Zakharova që kundërshtoi me anë të një video anëtarësimin e këtyre shteteve në NATO. “Finlanda dhe Suedia nuk duhet ta bazojnë sigurinë e tyre mbi dëmtimin e sigurisë së shteteve të tjera dhe anëtarësimi i tyre në NATO mund të ketë pasoja vendimtare si nga ana ushtarake edhe nga ajo politike,” tha Zakharova.
Finlanda dhe Suedia kanë qenë një mbështetje e madhe për Ukrainën si në aspektin ushtarak dhe në atë humanitar. Një nga arsyet që Rusia ka përdorur për të pushtuar Ukrainën ka qenë pikërisht refuzimi i qeverisë ukrainase për të garantuar se ajo nuk do t’i bashkohet NATO-s. Por, a do të anëtarësohen në NATO, Finlanda dhe Suedia? Sipas disa studimeve të fundit në Finlandë, opinioni publik rreth anëtarësimit të vendit në NATO ka ndryshuar në mënyrë drastike qysh prej pushtimit të Ukrainës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Suedi. Tashmë, më shumë se 53% e finlandezëve janë në favor të anëtarësimit në NATO, sipas një sonadazhi të bërë në muajn shkurt. Gjithashtu, në Suedi, tashmë 41% e qytetarëve janë pro anëtarësimit në NATO. Është e dukshme që pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës ka ndezur gjakrat dhe ka shtuar frikën mes vendeve baltike.
Për Finlandën, kujtimet e Luftës së Dytë Botërore nuk janë shuar ende, as pretendimet e ish-Bashkimit Sovjetik mbi tokat dhe portet finlandeze. Rreth 1,500 kilometra e ndajnë kufirin finlandez me Rusinë dhe mësimet e të shkuarës u reflektuan qartë në reagimin që kryeministria finlandeze, Sanna Marin, i bëri thirrjeve kërcënuese të Rusisë. “Ne kemi dëshmuar se kemi marr mësim nga e shkuara. Dhe ne nuk do të heqim dorë nga sovraniteti dhe liria jonë për të manovruar në mënyrë të pavarur.” tha ajo. Ndërsa në Suedi, çështja e anëtarësimit në NATO ka qenë një temë polarizuese, edhe pse shumica e politikanëve suedezë janë pro kësaj lëvizjeje. Suedia dhe Finlanda shihen gjerësisht si një dyshe e veçuar, e cila me shumë mundësi do të mund të anëtarësohet në të njëjtën kohë me njëra tjetrën. Në situatën aktuale që përfshinë kërcënimin rus përballë nevojës emergjente për siguri dhe sovranitet aleanca me NATO-n duket si një objektiv i pashmangshëm për këto dy shtete, por në të njëjtën kohë, ai rrezikon të mos jetë edhe aq i lehtë për t’u formalizuar.