Çfarë ndodhi në kampin e muxhahedinëve? Flasin Çuçi dhe Rrumbullaku

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku sqaruan se çfarë ndodhi sot brenda kampit të MEK në Manzë të Durrësit, pas revoltës së anëtarëve te opozitës iraniane të cilët kundërshtuan kontrollin që ushtruan efektivët e policisë me urdhër të SPAK-ut.

Sipas ministrit, anëtarët e opozitës iraniane kanë shkelur marrëveshjen që kanë nënshkruar me qeverinë në vitin 2014, ku thuhej së në vendin tonë do strehohen vetëm për qëllime humanitare. Ai tha se anëtarëve të MEK iu ndalohet të kryejnë çdo lloj aktiviteti politik. Sipas tij, SPAK ka të dhëna se brenda kampit ishte ngritur një bazë severash.

Çuçi theksoi se anëtarët e MEK duhet të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar, pasi ai territor nuk është pronë e tyre, por i Shqipërisë.

Kryepolici Rrumbullaku tha se drejtuesit e MEK kanë pranuar të ushtrohet kontrolli nga efektivët e policisë, ndërsa nuk kanë pranuar të lexojnë urdhrin e gjykatës. Gjatë kontrollit të ushtruar, Rrumbullaku thekson se policët arritën të zbulojnë në 17 godina të kampit baza serverësh.

Dhe në këtë moment, sipas Rrumbullakut ka nisur revolta e dhunshme e muxhahedinëve, për të cilët thotë se disa tentuan të djegin edhe serverët e dokumente të tjera, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Rrumbullaku dhe Çuçi theksuan se efektivët e policisë nuk prekur asnjë person me dorë, ndërsa dënuan ashpër dhunën e ushtruar nga muxhahedinët kundrejt policëve. Rrumbullaku thotë se policët kanë përdorur vetëm spraj, pasi anëtarët e MEK kanë bllokuar lëvizjen e makinave dhe forcave policore.