Çfarë ndodhi në drekën me liderët tek restoranti në Tiranë

Disa nga liderët botërorë u mirëpritën për të ngrënë në restorantin Padam. Të mërkurën u pritën Presidenti Volodymyr Zelensky në vizitën e tij të parë në Tiranë, por edhe udhëheqësit e tjerë të cilët ishin të pranishëm në samit. Fundim Gjepali, shefi i restorantit ka treguar detaje të drekës, i cili tha se Presidenti serb nuk ishte i pranishëm në drekë me liderët e tjerë. Ai tha se ka qenë pjesë e listës së të ftuarve, por në fund nuk ka qenë pjesë. Ndërsa lidhur me Presidenten e  Kosovës, Fundim Gjepali dha komplimente.

“Di të them që Vuçiç nuk ishte prezentë në drekë. Ishte i ftuar sepse kishim në listë që do ishte prezent. Nuk i di motivet pse nuk ishte prezent. Liderët e tjerë ishin dhe Vjosa Osmani që me elegancën e saj na komplimentoi shumë. Njeri shumë i mirë”.

Ai tha se menunë e ka realizuar në një mënyrë të tillë që t’u ngelet në mendje të gjithë liderëve, mes tyre edhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Unë kisha propozuar disa menu të ndryshme, protokollit të shtetit dhe ata vendosën një menu që u konsultuam bashkë. Ishte një menu me bazë mishi. Një menu e lehtë, me gjëra shumë të freskëta sepse më pas ata kishin takime të tjera. Ishte një drekë pune, jo një drekë qejfi. Shkoi shumë mirë, Presidenti më komplimentoi në fund të drekës, shkova e përshëndeta. I servirëm menunë të gjithë me produkte shqiptare, me verë shqiptare dhe ishte një eksperiencë shumë vlerësuese për ne si restorant sepse të presim personazhe të tilla sidomos në një moment të vështirë siç është Ukraina në këtë moment, shpresoj të gjejnë paqe dhe ne bëmë tonën, bëmë një pritje shumë dinjitoze”, u shpreh Gjepali.