
Çfarë ka ndodhur me jetën e Marianës pas sulmit në maternitetin në Ukrainë
Veronika quhet foshnja që lindi shëndoshë e mirë në mes të luftës në Ukrainë, fatkeqësisht larg vendit të saj dhe e tmerruar nga pamja e nënës me plagë të luftës. Për shkak të sulmeve ruse në maternitetin e Mariupolit, Mariana Vishegirskaya duhej të largohej sa më shpejt nga aty. Fotot e saj me kostumin/pizhame të pambuktë, me plagë në fytyrë e me qese nëpër duar teksa zbriste shkallët me shpejtësi thyen rrjetin.
Imazhet e nënave të dëshpëruara dhe punonjësve mjekësorë nga spitali i Shëndetit të Fëmijëve dhe Grave tronditën botën, pasi bombardimet e çuan luftën e Rusisë kundër Ukrainës në një nivel të ri të konsideruar të neveritshëm.
Duke u përballur me sanksionet, zyrtarët rusë thanë se janë bërë pretendime të rreme, pasi ishte lajmëruar për të evakuuar spitalet dhe godinat që ishin shënjestër e forcave ruse. Por pasojat tronditëse pak orë pas sulmit dëshmuan të kundërtën.
Vishegirskaya është një blogere ukrainase në Mariupol, e cila poston në lidhje me kujdesin e lëkurës, grimin dhe kozmetikën. Ajo ka postuar disa foto dhe video në Instagram duke dokumentuar shtatzëninë e saj në muajt e fundit, dhe në njërën, ajo shihet e veshur me të njëjtat pizhame si në ditën kur materniteti u sulmua.
Pas bombardimeve, Vishegirskaya u dërgua në një spital tjetër në periferi të qytetit dhe lindi me prerje cezariane, në një zonë ku nuk pati as drita as energji elektrike.