Çështja “Beleri” ndez sërish Brukselin

Çështja “Beleri” ndez Brukselin sërish, ku nga takimi i 17-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, kreu i këtij organi Manolis Kefalogiannis kërkoi shpjegim nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani.

Për Greqinë zyrtare, ‘Beleri’ është një çështje që i tejkalon të dy vendet, madje këtë qëndrim përforcoi nga Tirana kryeministri grek Mitsotakis.

Në kundërpërgjigje, Ministri Hasani u shpreh se kjo çështje i përket organeve të drejtësisë, të cilat funksionojnë të pavarura nga ekzekutivi.

Ai tha:

“Takimi sot nuk është për çështje personale të dikujt. “Beleri” nuk është çështje evropiane, por e organeve të drejtësisë në Shqipëri. Shqipëria pret t’i bashkohet familjes së BE. Koha kur gjykatat trajtohen si përkatësi partiake ka mbaruar”.

Gjatë takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Ministri Hasani u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave, përfshirë atë të drejtësisë. Sipas kryediplomatit shqiptar, rezultate konkrete janë shënuar nga SPAK, lidhur me hetimet që po kryhen për zyrtarë të lartë, si dhe në sekuestrimin e konfiskimin e aseteve të eksponentëve të krimit të organizuar.

“Ne mezi presim hapin tjetër në negociatat tona të pranimit. Reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi ka vazhduar, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi, procesi i vetingut ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme, SPAK-u ka vijuar veprimtarinë e tij, veçanërisht duke dhënë disa vendime të rëndësishme përfundimtare për çështje që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë.”

Por duket se nuk ishin vetëm përfaqësuesit grekë ata të cilët folën për ndërhyrje të qeverisë në sistemin e drejtësisë. Edhe dy deputetët e opozitës në këtë takim, Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi folën me shqetësim për kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, si dhe mohimin e të drejtave kushtetuese të kësaj të fundit për komisionet hetimore.