Celibashi: Zgjedhjet e 2025-ës bëhen edhe me kodin aktual, por s’votojnë dot emigrantët

Një vit ka mbetur nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, por mesa duhet çështja e votës së Diasporës nuk po merr zgjidhje, edhe pse kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka kërkuar nga partitë politike që të miratojnë ndryshimet në Kodin Elektoral. Komisioni i Posaçëm në javët e fundit ka pasur përplasje të shumta brenda radhëve të demokratëve.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar:

“Partitë politike të angazhohen për t’i realizuar këto ndryshime sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet të datojnë jo më vonë se 1 vit, ose në rastin më ekstrem, 6 muaj para ditës së zgjedhjeve.”

Ai thekson se zgjedhjet e radhës mund të realizohen edhe me Kodin Aktual, por që emigrantët nuk do të mund të votojnë.

“Nëse mbetemi me Kodin aktual në fuqi, zgjedhjet do të bëhen. Nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk plotëson boshllëkun ligjor, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë.”

Ndërkaq, mungesa e një konsensusi të përbashkët politik për Kodin Zgjedhor rrezikon edhe votimin elektronik në pesë qarqe: Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Lezhë. Kujtojmë që në zgjedhjet lokale të 14 Majit, votimi elektronik u aplikua në 3 bashki: Vorë, Kamzë dhe Elbasan.