Celibashi tregon nëse do shtyhet ora për të votuar dhe ndjesa publike që i kërkoi PS

Në një deklaratë për shtyp, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur lidhur me problematikat dhe shqetësimet që janë hasur gjatë procesit të votimit, sidomos atë elektronik.

Ndërsa përfaqësuesja e KQZ, ka bërë me dije se mungesa e raportuar e shenjës së gishtit në votimin biometrik është konstatuar si problem vetëm për moshat e treta, duke shtuar se operatorët kanë respektuar protokollin.

PS i kërkoi Celibashit të dalë dhe të kërkojë falje publike ndaj qytetarëve, për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve elektronike për votimet dhe ky i fundit tha se mban përgjegjësi.
Ja si u përgjigj Celibashi:
“Nëse dikush do ta tërheqë KQZ-në në një debat jo produktiv, ne nuk kemi pse ta bëjmë, nëse ajo çfarë klasifikohet si parregullsi apo problematikë në lidhje me funksionimin e pajisjeve të identifikimit, ka cenuar votën e një votuesi, ne ju themi që njohim përgjegjësinë dhe nëse kjo ka ndikuar tek ata, edhe ndjesën e kemi kërkuar, nuk e di nëse dikush tjetër kërkon më shumë se kaq. Çfarë do duhet të ishte bërë ndryshe?”

Ndërsa ka përjashtuar se do të ketë shtyrje për procesin e votimit, pasi sipas tij nuk ka arsye se pse të ndodhë kjo.

“Nuk kemi asnjë shkak ligjor deri tani për të shtyrë orarin e votimit. Rikonfirmoj edhe njëherë se nëse në orën 19:00 do të jenë votues që presin për të votuar në qendrën përkatëse, komisioni do të shënojë emrat e atyre votuesve dhe do t’i lejojë ata që të votojnë dhe asnjë tjetër pasi të ketë përfunduar votimi”.