Ç’do ndodhë me votën e diasporës? Gjiknuri: Do u themi shqiptarëve, opozita nuk do!

Dy palët kryesore politike në vend kanë zhvilluar mbledhjen e Dialogut për Reformën Zgjedhore. Nga ana e PS, Damian Gjiknuri tha për gazetarët se partia socialiste do të adresojë në korrik të gjitha ndryshimet ligjore për kodin zgjedhor. Gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës. Ndërkaq, opozita është refuzuar pasi ka kërkuar rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.

Damian Gjiknuri tha:

“Në këtë pikë që jemi duhen adresuar dy çështje, 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, 2 janë më të rëndësishme. Ne si mazhorancë nëse nuk ka dakordësi do të iniciojmë propozimet tona. Vota e diasporës për të cilën kemi marrë propozimine para një viti të kolegëve të opozitës, të llogaritet në qarkun rëspektiv ku ka patur vendbanimin e fundit qytetari. Po ashtu lehtësim i procedurës së regjistrimit në gjendjen civile dhe gjithçka ka kërkuar diaspora nëpërmjet shoqatave të tyre. T’ja lëmë në dorë KQZ-së për të gjitha detajet që kanë të bëjnë me integritetin e votës. Dhe së fundmi, herësi ose formula e shpërndarjes së mandateve brenda forcave politike, jemi të hapur për konsensus, do dalim me propozimet tona.”

Gjiknuri vuri theksin tek financimi i procesit të votimit elektronik nga ana e PS në 4, 5 qarqet më të mëdha në vend. Ai tha:

“PD ka dy mendje, ka filluar të heqë dorë, nuk ka më besim siç duhet pavarësisht se ka qenë ndër kërkesat themelore në të kaluarën”.

Ndërsa në rast se nuk gjendet dakordësia me opozitën, vota e emigrantëve do të vijojë të mbetet peng.

Gjiknuri tha: ‘Do u themi shqiptarëve, opozita nuk do! Grupi i dialogut do vazhdojë punën, por unë i pres  që të reflektojnë’.

Socialistët thonë se me gjasë në shtator mund të dekretohet data e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2025.