Burreli, nga Mbreti Zog tek pseudonimi “qyteti i mollëve”

Burreli ndodhet rreth 90km në verilindje të Tiranës, por pak dihet për të sa i përket historisë në aspektin e turizmit, ndaj ia vlen për t’u eksploruar.

Rrethinat e Burrelit besohet të kenë qenë të banuara që prej shekullit VIII para Krishtit, gjë që është dëshmuar nga “tumat” ilire të gjetura nga zbulimet arkeologjike, kryesisht në zonën e Matit.

Si qytet, Burreli është zhvilluar më së shumti pas vitit 1922, kur u caktua qendër e rrethit të Matit. Zona urbane dallon prej një parku me sipërfaqe 4 hektarë, projektuar nga Mbreti Zog, i cili ishte me origjinë nga kjo zonë dhe e projektoi për nder të Mbretëreshës Geraldinë.

Po kështu e njohur është edhe si vepër arkitektonike e ashtuquajtura “Ura e Zogut”, e cila lidh dy krahët e Matit. Ajo u ndërtua në periudhën e Mbretërisë.

Shumë besojnë se origjina e fjalës Mat (Matja) ka prejardhje biblike, ndërsa historianët thonë se emri i krahinës vjen nga gjuha shqipe dhe ka lidhje me fjalën mat`anë (mat`anë lumit, mat`anë bregut).

Burreli, qyteti kryesor i kësaj krahine njihet rëndomtë si “qyteti i mollëve”, pasi në vitet 40-60 në hyrje të tij u mbollën mollë.

Në Mat thuhet të jetë shpallur pavarësia e kishës katolike shqiptare për herë të parë nga peshkopi Pjetër Budi (1566-dhjetor 1622), i cili gjithashtu ishte ndër të parët  letrarë shqiptarë, që botoi një libër në gjuhën shqipe.

Budi është i njohur për veprën e tij të parë “Doktrina e Kërshtenë”, një përkthim në shqip i katekizmit të Robert Bellarmine, i cili u botua në Romë më 1618.

Gjatë periudhës së pushtimit osman, zona, krahas Dibrës dhe Lumës, u njoh shumë për kryengritje deri në vitin 1912 kur me një delegacion të sajin prej rreth 500 burrash priju në Vlorë për të firmosur deklaratën e Pavarësisë.

Pjesë e delegacionit ishte dhe Ahmet Zogolli, i cili qe lindur në Burgajet të Matit, dhe më vonë do të spikaste si politikan dhe udhëheqës luftarak duke kulmuar me një karrierë në ngritje pas Konferencës së Lushnjës në vitin 1920.

Por historia hera-herës kthehet dhe damkë. Zona e Burrellit dhe Matit njohu përndjekje gjatë periudhës komuniste, si krahina nga kishte origjinën Mbreti.

Ndaj shumë familje “u gjykuan” si “Zogistë”, ose përkrahëse të Mbretërisë, dhe për këtë pak u bë që kjo zonë të përkrahej me zhvillim urbanistik e kulturor.

Përkundrazi në këtë krahinë u ngrit një nga burgjet më famëkeqe të diktaturës, burgu i Burrelit.

Uzina e Ferrokromit në Burrel ka qenë dhe mbetet industria kryesore e këtij qyteti dhe si burim kryesor punësimi për banorët e tij.

 

 

*Tibo News