Burgu i Spaçit do kthehet në muze, detaje nga projekti

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit kanë gati draft-planin për menaxhimin e ish-burgut të Spaçit, i cili parashikohet të kthehet në muze.

Në draftin prej 182 faqesh, Ministria e Kulturës, tregon rëndësisnë e investimit dhe rijetëzimit të hapësirave, planin e biznesit si dhe përllogaritjen paraprake jo përfundimtare të shpenzimeve.

Hapi i parë i cili parashikohet në draft është kalimi i pronësisë administrative të kësaj hapësire në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Më pas vjen krijimi i një fondacioni nga një institucion i specializuar për trashëgiminë kulturore, i cili do jetë drejtpërdrejt i varur nga Ministria e Kulturës.

Fondacioni do organizohet në 3 nivele drejtimi, me një Bord Administrimi, Bord Nderi dhe Bord Shkencor. Fondacioni do financohet nga Buxheti i Shtetit, nga partnerë ndërkombëtarë, apo fonde publike dhe private, ndërsa vetë implementimi i planit parashikohet të zgjasë 5 vjet.

Investimi financiar parashikon të kapi vlerën prej 4.230.800 Eurove, prej të cilave, 2.321.900 Euro do investohen në fazën e parë dhe pjesa e mbetur për fazat e tjera.

Ky projekt-propozim aktualisht është konsultuar me grupet e interesit, siç janë ish të burgosurit politik, institucionet e ruajtjes se kujtesës apo historianë.

Burgu i Spaçit u përdor për të internuarit politik gjatë regjimit diktatorial.

Ky burg hap më 1968 dhe funksionoi deri në ’88, me mbi 1000 të burgosur politik.