
Burg përjetë terroristit që organizoi sulmet e vitit 2015 në Francë
Një nga terroristët që i mbijetuan atentatit të vitit 2015 në Francë u dënua të mërkurën me burgim të përjetshëm.
Salah Abdeslam u shpall fajtor për akuzat e terrorizmit dhe vrasjes në masë me paramendim. Ai ishte pjesë e grupit prej mbi 20 ekstremistësh të lidhur me Shtetin Islamik, që organizuan 6 sulme të ndryshme në Paris më 13 nëntor 2015 ku humbën jetën 130 persona dhe u plagosën 700 të tjerë.
32-vjeçari Abdeslam, mendohet të jetë i vetmi i mbijetuar nga atentatorët. Ai u dënua fillimisht në Belgjikë me 20 vite burg për aktivitet terrorist, ndërsa së fundmi në Francë me burgim të përjetshëm pa të drejtë apelimi.
Krahas tij gjykata franceze dënoi 19 persona të tjerë që ndihmuan me logjistikë në organizimin e atentateve, një pjesë e tyre u dënuan në mungesë. I pranishëm në sallë, por që u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm, ishte Mohamed Abrini.
Ky ishte pjesë e organizimit, por u tërhoq mbrëmjen e ngjarjeve dhe nuk shpërtheu sasinë e tritolit që kishte veshur. Ndryshe nga Abdeslam, Abrini ka mundësinë e apelimit, por vetëm pas 22 vitesh burg.
Shumica e të mbijetuarve i konsideruan vendimet e gjykatës të drejta. Gjyqi që zgjati rreth 10 muaj është filmuar, megjithatë pamjet filmike nuk do të publikohen për të paktën 50 vite për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.