Burg kush mban më shumë se një partner? Eni Çobani, skeptike për projektligjin

Rrjetet sociale po vlojnë nga komentet e diskutimet lidhur me çështjen e një projektligji të ri, që fut në burg të gjithë partnerët që tradhtojnë apo që mbajnë paralelisht me martesën një partnere apo partner. Në projektligjin e hedhur për diskutim parashikohet që bigamia (martesa me dy partner/e njëkohësisht) të konsiderohet si një vepër penale e cila mund të dënohet deri në 3 vite burg.
Por avokatja e njohur Eni Çobani mban një qëndrim skeptik kur thotë se ndëshkimi me burg nuk mund të jetë një rregullator i një shoqërie demokratike. Sipas avokates Çobani, duhen gjetur zgjidhje dhe rregullatorë të tjerë për këtë element që më shumë është social.

Nga emisioni i mëngjesit “Aldo Morning Show”, avokatja tha:

Eni Çobani: Atëherë, në këtë kuadër që ne jemi, tradhtia të nderuar shqiptarë, nuk është vepër penale. Dhe bigamia, që tani së fundmi ka dal një draft, por unë dua të jem serioze, sikundër jam gjithmonë. Ka dal nëpër media një draft, por unë nuk dua t’i referohem asaj sepse e para nuk është e shkruar mirë nga ana gjyqësore dhe nuk besoj që ai të jetë projekti i sistemit që po na vihet tani përballë, por megjithatë, ka një iniciativë për të bërë një projekt për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, pikërisht mbi martesat dyfishe, që do të thotë krahas martesës ligjore do të kemi dhe një martesë tjetër. Jo! Këtë e ndalon ligji. Ky ligj ka qenë gjithmonë në Shqipëri. Pse dalin dhe thonë sot: “Shiko, por nuk ishte thënë edhe shumë mirë”. E keni në Kodin e Familjes, pikërisht në nenin shtatë dhe nëntë, janë ndalimet për sa i përket martesave.

Ne nuk kishim dënimin penal, pra këta tani kanë shtuar dënimin penal. Tani, të shtosh dënimin penal për një element social, për të cilin unë mendoj se duhet të ketë mjete të tjera rregullatore. Po pse te burgu do shkojmë tani gjithmonë? Pra, nuk kemi zgjidhje të tjera? Po edhe gjoba, pra është quajtur dikur edhe kundërvajtje. Mund të bëhet diçka e kësaj natyre, por nuk mund të jetë rregullator i një shoqërie demokratike burgu. Pra, ne po mundohemi, të paktën unë, në sistemin e drejtësisë, të fusim një ide tjetër, atë të cilën është ndërmjetësimi. Ndërmjetësimi është komunikim. Pra hajde komunikojmë, nëse gjërat nuk shkojnë hajde t’i zgjidhim. Sigurisht që fenomenet e fundit, ne duhet ta ngremë zërin, kanë qenë shumë të rënda. Nuk mund të pranohen marrëdhënie krahas asaj ligjore dhe dy të tjera të cilat ti mund t’i gjesh, ambientet në të cilat jetoni, frekuentoni, pra këto janë gjëra të cilat nuk mund të imagjinohen sepse nuk janë të mundura edhe në efektin personal. Sesi një burrë sot mund t’ju përgjigjet katër grave, tani unë nuk e di si mundet. Megjithatë, kjo varet nga gjithsecili, mund të ketë burra që u përgjigjen katër grave, ky është problemi i tyre.