Buka, vaji, karburantet e bulmeti “fundosin” buxhetet e familjeve shqiptare

Muaji mars solli të papritura të pakëndshme për të gjitha familjet në vend. Çmimet u rritën me shpejtësi, si rrjedhojë e kufizimeve në furnizime, që erdhën nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Si dy ndër shtetet kryesore të prodhimit të karburanteve, drithërave e vajit, lufta solli zhbalancime të shumta në ofertë, që u shoqëruan me rritje të fortë të çmimeve të shumë produkteve. Në mars, inflacioni, apo Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, në muajin mars arriti në 5.7%, niveli më i lartë në 20 vjet.

-Shërbimet personale ndaj mjeteve të transportit: Indeksi i këtij nëngrupi u rrit me 26.7% në mars, me bazë vjetore, më e larta nga të gjitha nëngrupet. Rritja e çmimit të karburantit ka shtuar shpenzimet për të gjithë përdoruesit e makinave, por dhe për ata që kryejnë udhëtime ndërurbane përmes mjeteve publike.

-Vajra dhe yndyrna: Indeksi i këtij nëngrupi u rrit me 22.4% në mars. Vaji bimor u shtrenjtua ndjeshëm në mars, duke i kaluar 300-320 lekë për litër nga rreth 220 lekë më parë. Tregut botëror i mungon 80% e farës të lulediellit që prodhohet nga Ukraina dhe Rusia. Operatorët e tregut kanë paralajmëruar se problematika e vajit do të vazhdojë dhe kjo vjen për shkak të çmimeve. Sipas tyre, çmimet e vajit sot në Greqi janë 4,5 euro për litër. Kjo po ndodh në Itali, Francë, Gjermani dhe vende të tjera. Edhe sasitë e furnizimeve janë të limituara nga vendet europiane.

-Buka: Çmimet e bukës dhe drithërave u rritën mesatarisht me 15.8% në krahasim me marsin e një viti më parë. Një bukë masive tashmë kushton 120 lekë, nga 80 lekë më parë. Shtrenjtimi i çmimit të drithërave ishte faktori kryesor që rriti çmimin e bukës.

-Qumësht, djathë dhe Vezë: Indeksi i këtij nëngrupi u rrit me 10.3% në mars, shtrenjtimi i dytë më i lartë për ushqimet, pas bukës. Këto produkte janë shtrenjtuar vazhdimisht muajt e fundit, duke kulmuar në mars, pas rritjes së kostove të energjisë e transportit dhe të lëndës së parë nga fermerët. Rritja pritet të vazhdojë. Në mars janë shtrenjtuar dhe zarzavate, përfshirë patatet me 10.5%, ndonëse këtë muaj fillon dhe del në treg prodhimi vendas. Rritja e kostove të lëndëve të para si plehrat kimike dhe plasmasi, së bashku me rritjen e taksave pas vendosjes së TVSH-së për inputet bujqësore ka bërë që fermerët të mbjellin më pak, duke ulur ofertën e brendshme.

Edhe mishi është shtrenjtuar me 7.1%, kryesisht për shkak të mungesës së tij në treg. Më shtrenjtë janë dhe pijet alkoolike (+3.8%). Në kafe dhe restorante mesatarisht duhet të paguash 4.5% më shumë se një vit më parë, teksa restorantet po fillojnë të reflektojnë shtrenjtimin e produkteve ushqimore.