
Britania me shifrat më të larta të inflacionit në 40 vite
Çmimet po rriten gjithmonë e më shumë në Mbretërinë e Bashkuar. Norma e inflacionit në vend kapërceu në norma dyshifrore gjatë muajit korrik.
Shifrat 10.1% tejkaluan parashikimet e ekonomistëve dhe përbën normën më të lartë që prej shkurtit të vitit 1982.
Faktori kryesor i kësaj rritjeje ka qenë shtrenjtimi i energjisë elektrike, që ndodhi që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë.
Situata ka bërë që Banka e Anglisë të parashikonte një recesion të lehtë, por të gjatë.
Disa ekonomistë heqin paralele me vitet 70-të. Në atë kohë, Britania u përball gjithashtu me inflacion të lartë, krizë me koston e jetesës dhe trazira në rritje me kërkesat e punëtorëve.
Britanikët e moshuar ende e mbajnë mend periudhën e grevave dhe mungesave të energjisë.
Por historiani Alwyn Turner thotë se kujtimet e politikanëve aktual nuk janë aq të kthjellëta. Në fakt ai thotë se problemi tani është te mungesa e përvojës apo njohurive mbi të shkuarën e kaluar.
Turner thotë se shumica e politikanëve janë të rinj dhe nuk kanë aspak informacione të asaj çfarë kaloi dhe si e kaloi Britania e Madhe në vitet 70-të
Asokohe një qeveri konservatore u përpoq të nxiste rritjen ekonomike, por në vend të kësaj nxiti inflacionin. Kriza energjetike bëri që të flitet për ndërprerjen e sistemeve të ngrohjes së shtëpive.
Ditët e sotme, pretendentët për të zëvendësuar Boris Johnsonin si Kryeministër përballen me dilemë të ngjashme.
Liz Truss thotë se shkurtimet e taksave janë mënyra më e mirë për të ndihmuar qytetarët. Rivali Rishi Sunak e kundërshton duke thënë se kjo do ta përkeqësonte inflacionin.
Njëri nga të dy do të fitojë postin e Kryeministrit në shtator dhe do të ketë mundësinë për të parë nëse politika e tyre është më e duhura.
*Tibo News