
Britania e Madhe apelon për kujdes të shtuar ndaj teknologjive ruse
Qendra e sigurisë kibernetike e Britanisë së Madhe tha se organizatat që ofrojnë shërbime në lidhje me Ukrainën duhet të rishikojnë rrezikun që lidhet me përdorimin e teknologjisë kompjuterike ruse në zinxhirët e tyre të furnizimit.
Me anë të një deklarate zyrtare, Qendra e Sigurisë tha se nuk kanë asnjë provë që shteti rus synon të nënshtrojë produktet dhe shërbimet tregtare ruse për të shkaktuar dëme ndaj interesave të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo shtoi se mungesa e provave nuk është dëshmi se Rusia nuk mund të ndërhyjë.
Në fillim të këtij muaji Italia tha se autoritetet e saj publike duhet të zëvendësojnë çdo softuer antivirus të lidhur me Rusinë, ndërsa Gjermania paralajmëroi klientët e Kaspersky Lab me bazë në Moskë se softueri i saj përbën një rrezik serioz të sulmeve nga hakerat.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara shtuan Kaspersky Lab në listën e pajisjeve të komunikimit dhe ofruesve të shërbimeve që konsiderohen kërcënime për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Kaspersky Lab i ka përshkruar masa të tilla si të motivuara politikisht.
Britania e Madhe nuk paralajmëroi në mënyrë të veçantë kundër softuerit Kaspersky Lab, por këshilloi që përdoruesit e tij mund të kenë nevojë të ndryshojnë ofruesit e antiviruseve nëse vetë Kaspersky Lab do të sanksionohej.