“Brazilian Butt Lift”, fiksimi i rrezikshëm që po merr jetën e grave dhe vajzave

E painformuar për rrezikun, Latesha Bynum nga SHBA-të donte llojin e të pasmeve si Cardi B dhe Kim Kardashian, ia arriti qëllimit por në fund e pagoi me jetën e saj.

“Po përmirësoj trupin tim,” i tha Bynum mamasë së saj para se të kryente ndërhyrjen kirurgjikale të të pasmeve, një lloj trajtimi kozmetik gjithnjë e më popullor në vitet e fundit, qoftë i kryer nga mjekë të licencuar nga shteti apo kirurgë të palicencuar në rrugica lagjesh.

Bynum-it iu duk mundësi shumë e mirë kur kirurgu i palicensuar i kërkoi vetëm 3500 dollarë, shumë më pak se tarifat e një praktike të ligjshme mjekësore. Ai e kishte kthyer shtëpinë në sallë operacioni dhe në fakt dukej si një zyrë e vërtetë e një kirurgu në Manhattan, me çertifikata mjekësore të varura përmes kornizash në mur.

Kirurgu Kevin Richardson, i cili tashmë ndodhet në burg për vrasje të shkallës së dytë, injektoi silikon të lëngshëm aksidentalisht në venat e Bynum. Ndërsa lëngu i salikonit shkonte drejt veshkës, mushkërive dhe trurit të Bynum, kjo e fundit u sëmur menjëherë. Këmbët dhe gjymtyrët e tjerë iu bënë blu si oqeani. Kirurgu e dërgoi në shtëpi me një taksi, dhe pretendon se Bynum po merrte frymë dhe ishte mirë kur u largua nga ai.

Ishin fëmijët e Bynum 8 dhe 13 vjeç të cilat njoftuan ambulancën dhe shoqëruan nënën e tyre në spital. Por fatkeqësisht dëmi fatal ishte bërë. Bynum rezistoi vetëm 10 ditë dhe më pas ndërroi jetë.

Nuk ka shumë të dhëna se sa është numri real i grave si Bynum që kanë vdekur pas një ndërhyrje nga duart e kirurgëve të palicensuar dhe pa iu kërkuar pacientëve qoftë një analizë për të ditur problematikat shëndetësore dhe reagimet ndaj një përbërësi të tillë si silikoni i lëngshëm.

Silikoni i injektueshëm nuk është miratuar për asnjë procedurë estetike, duke përfshirë konturimin ose përmirësimin e fytyrës dhe trupit, deklaron Administrata Federale e Ushqimit dhe Barnave në SHBA. Trajtimi mund të çojë në dhimbje afatgjatë, infeksione dhe lëndime serioze, të tilla si shpërfytyrim të përhershëm, emboli (bllokim i një ene gjaku), goditje në tru dhe vdekje.

FDA thotë se po përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet e trajtimit të paligjshëm me injeksion silikoni.

Por a është e rrezikshme vetëm lënda që përdoret?

Stiduesit thonë se ndërhyrja në të pasme mbart një rrezik serioz, më shumë sesa llojet e tjera të ndërhyrjeve kirurgjikale apo plastike.

Një raport i vitit 2018 në SHBA zbuloi se ndërhyrje të tilla janë 10 deri në 20 herë më të rrezikshme se llojet e tjera të kirurgjisë estetike të kryera në spitalet dhe klinikat amerikane. Në mbarë botën, thotë raporti, rreth një nga çdo 448 pacientë të rritur që kryen ndërhyrje në të pasme vdes për shkak të operacionit dhe kjo është shumë më e lartë se shkalla e përgjithshme e vdekjeve në SHBA nga kirurgjia estetike, e cila është rreth një në 55,000.

Pavarësisht nga rreziqet e operacioneve të rritjes së të pasmeve, gjithnjë e më shumë gra kërkojnë të përmirësojnë në mënyrë mjekësore këtë pjesë të trupit. Në të përfshihen edhe shkrirja e dhjamit, ngritja, konturimi, forma dhe zmadhimi. Nga viti 2014 deri në vitin 2019, një studim nga Shoqata Amerikane e Kirurgëve Plastikë ka zbuluar se ka patur rritje të kërkesave për këtë ndërhyrje me mbi 90%.

Në vitin 2019, kirurgët plastikë të SHBA-së kryen 28,076 operacione të heqjes së yndyrës kryesisht në bark dhe ije duke e injektuar atë në glutes/ në të pasme. Kjo lloj ndërhyrje njihet ndryshe si BBL- Brazilian Butt Lift.

Sipas të dhënave, pritet që çdo vit të ketë rritje të kërkesave për ndërhyrje të tilla me 22 %, duke kapur një vlerë prej 6.6 miliardë dollarësh deri në vitin 2028.

Ngritja e të pasmeve fillon me liposuksion, ku dhjami në bark hiqet me një tub metalik të mprehtë të quajtur kanulë. Kjo pajisje futet nën lëkurë në mënyrë që yndyra të thithet dhe më pas të rishpërndahet në të pasme.

Mjekët që nuk zbatojnë teknikën e duhur humbin ‘gjurmët’ gjatë ndërhyrjes. Që do të thotë: Ata injektojnë dhjamë ose silikon aksidentalisht në enë të mëdha të gjakut ose vena, të cilat kanë pasoja fatale, ose pasoja të pandryshueshme afatgjata.

Injektimi i yndyrës në të pasme shkakton emboli pulmonare. Embolia pulmonare është mpiksja e gjakut në mushkëri dhe në të shumtën e rasteve shkakton vdekje. Megjithëse ka trajtime mjekësore për ndërhyrje të tilla, nuk ka siguri dhe as garanci, pasi edhe mjekimet kanë nivelin e tyre të rrezikshmëri bazuar në historikun shëndetësor të pacientit.

Vajza apo gra si Bynum vazhdojnë të vdesin nga  trajtimet e paligjshme, shpesh në duart e njerëzve pa licencë mjekësore.

Hetimet dolën në përfundimin se Bynum ndërroi jetë për shkak të embolisë sistemike nga silikoni.

Shumë nga gratë që humbasin jetën nga operacioni i të pasmeve janë përkujtuar në faqet e Instagramit që shërbejnë si paralajmërime për gratë e tjera që të qëndrojnë larg mjekut ose disa klinikave me historik të ngjashëm.

Infermierja e Richardson, Allison Spence, kreu dy vjet burg dhe u lirua në vitin 2019 për rastin e Bynum.

Ndërsa turma vajzash të reja kërkojnë procedura të rritjes së të pasmeve thjesht që të duken bukur në plazh apo me fustane, nëna Bertie Bynum ka një këshillë nisur nga historia tragjike e vajzës së saj:

“Mendoni pak thellë, a ja vlen? Kjo është si të bësh vetëvrasje, sikur të shkosh me ndërgjegjen tënde drejt vdekjes. Këto proçedura janë gënjeshtër, ata që i kryejnë janë shumica gënjeshtarë. Ata ju manipulojnë, ata nuk mendojnë për pasojat në shëndetin tuaj. Atë sasi dhjami apo silikoni që ti vendos në të pasme, do ta marrësh me vete në varr. Mendoni pak thellë… “

*Artikulli i New Yorker, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tibo News.