
Brazil, vajza mashtron të ëmën për t’i zhvatur mbi 140 milionë dollarë
Një grua në Brazil u arrestua me akuzën se kishte mashtruar të ëmën sipas një skeme që mund të nxirrte 142 milionë dollarë. Kështu tha policia pasi i sekuestroi 16 piktura, të cilat qenë vjedhur nga shtëpia e së ëmës. Tre prej këtyre pikturave janë të piktores moderniste Tarsila do Amaral që vlejnë mbi 130 milionë.
Sabine Coll Boghici akuzohet se ka mashtruar 82-vjeçaren Genevieve Boghici, e cila ishte e veja e një koleksionuesi arti. Policia tha se mashtrimi nisi në vitin 2020 kur Genevieve u prezantua me një psikologe spiritualiste, e cila i kishte treguar se për shkak të një gjendje të panjohur, vajza do t’i vdiste shumë shpejt.
Policia thotë se informacionet i ishin përcjellë nga e bija dhe takimi me psikologen qe përdorur për ta tronditur psikologjikisht Genevievën në mënyrë që ajo të transferonte më pas para për të mbuluar trajtime të rreme.
Ndërkohë Sabine, në bashkëpunim me një shoqen e saj, kishin nisur të zhvendosnin nga shtëpia vepra të ndryshme arti. Ato i arsyetonin largimet e pikturave me gënjeshtrën se ishin të mallkuara.
Pas një viti mashtrimesh dhe transfertash bankare 82-vjeçarja iu drejtua policisë, kjo dyshon se në skemën e mashtrimit janë përfshirë të paktën 7 veta.
*Tibo News