
Botërori i një legjende, Pelé dhe triumfi i tretë në Meksikë 1970
Edson Arantes do Nascimento, njohur si Pelé, gëzoi sukses të jashtëzakonshëm gjatë tetë viteve të para të karrierës së tij si futbollist me përfaqësuesen braziliane.
Ishte 16 vjeç kur debutoi për Brazilin në vitin 1957, kundër Argjentinës. Bota nuk kishte parë asnjëherë një lojtar si ai.
Një vit më vonë shënoi dy herë në finalen e botërorit kundër Suedisë duke i dhënë titullin e parë kampion Brazilit.
Në vitin 1962 në Kili, një lëndim do t’i shkurtonte kohën në fushë, por jo famën, pasi Brazili arriti të triumfojë sërish duke mbrojtur titullin.
Në ato vite ishte padyshim futbollisti më i shkëlqyer në planet, i shpejtë, i zoti, inteligjent, fantazist dhe tejmase altruist.
Ishte yll botëror, për të cilin mblidheshin pafund turma për ta parë kudo që shkonte. Ai e adhuronte futbollin, dhe futbolli e adhuronte atë.
Ky status bëri që shumë përfaqësuese kundërshtare të synonin ndërhyrje të rënda për ta nxjerrë jashtë loje në ndeshjet kundër Brazilit.
Kjo gjë u pa qartë në botërorin e vitit 1966. Në Goodison Park, shtëpinë e Evertonit, mbrojtësi i Portugalisë, Joao Morais, me një ndërhyrje brutale me dy këmbë, i hoqi Brazilit yllin e saj duke e nxjerrë jashtë fushe dhe jashtë botërorit me një humbje 3-1.
Kokëulur brazilianët hoqën dorë nga trofeu Jules Rimet pas 8 vitesh krenarie.
“Dështim total dhe i turpshëm,” do të shkruante Pelé më vonë në autobiografinë e tij, duke shtuar: “Të gjithë menduan se do të fitonim me lehtësi, por kishim kohë që e kishim humbur përgatitjen e përulur të viteve 58-62. Titullin e kishim humbur që pa shkelur në Angli”.
I lënduar dhe tërësisht i zhgënjyer nga situate, Pelé u tërhoq nga kombëtarja.
Kjo ishte një goditje edhe më e madhe për Brazilin, pasi ai ishte një forcë përbashkuese edhe përtej fushës së futbollit, për një vend me diferenca të mëdha multikulturore dhe ekonomike.
Me plot zona në skamje, zona nga të cilat vinte edhe vetë ai, Pelé kishte mundur të ngjallte shpresë për Brazilin, sidomos nën periudhën e regjimit ushtarak.
Po flasim për dikë, i cili që në adoleshencë, me një seancë të posaçme parlamentare, ishte pagëzuar “thesar kombëtar i paeksportueshëm” pasi klube të shumta italiane ishin përpjekur t’i merrnin dakordësinë për një shpërngulje në Europë.
Mirëpo koha i shëron plagët. Pelé gjeti ngushëllim te futbolli lokal dhe dashuria e njerëzve të thjeshtë.
Katër vitet që pasuan dështimin në botërorin e Anglisë, u mbushën plot me gola dhe argëtim nga Pelé.
Më 19 gusht 1969 ditën kur misioni Apollo 12 shkeli mbi Hënë, Pelé kapi kuotën e 1000 golave, shifra të paimagjinueshme më parë për futbollistët profesionistë. Faqet e para të revistave më prestigjioze u ndanë me arritjen hapësinore të Apollos dhe atë tokësore të Pelésë.
Me dëshirën më të madhe për të mos e mbyllur karrierën si “humbës”, Pelé iu përgjigj pozitivisht ftesës së radhës nga kombëtarja e Brazilit, e cila erdhi me premtimin nga një komision sportiv, se përfaqësuesja do të përkushtohej në maksimum për rezultat.
Përveç kësaj, reformimi i rregullave me futjen e kartonave të verdhë dhe të kuq për ndërhyrjet e rënda, Pelé mori një garanci se në Meksikë (1970) nuk do të përsëritej rasti i Anglisë.
Pelé shpagoi largimin e parë duke realizuar 6 nga 23 golat e fazës kualifikuese të Brazilit të drejtuar nga Joao Saldanha.
Ky prishi qetësinë e skuadrës kur pas një humbje me Argjentinën nisi të vinte në diskutim vendin e Pelés mbi baza të pavërteta, kinse ai ishte i sëmurë dhe kishte probleme me shikimin.
Situata vijoi me përplasje me median e më tej me replica ndaj udhëheqësit, gjeneral Emilio Garrastazu Medici, të cilat provokuan shkarkimin nga posti i trajnerit.
Vendin e tij do ta zinte Mario Zagallo, një ish-shok skuadre i Pelesë në vitet 58-62.
Përtej kësaj, përpara botërorit autoritetet meksikane arrestuan një grup kubanez, të cilët dyshohet se po planifikonin të rrëmbenin numrin 10-të të Brazilit.
Kjo çoi në shumfishimin e protokolleve të sigurisë dhe stërvitjen e Brazilit në një kamp të fortifikuar nga policia dhe roje të armatosura.
Vetë Pelé rrethohej nga roje kudo që shkonte, ndërsa kombëtarja vinte pas tre muajsh përgatitje intensive, përfshirë këtu 21 ditë stërvitje në zona malore.
Por i gjithë ky tension u çlirua në ndeshjen e parë kundër Çekosllovakisë, ndeshje të cilën ata e fituan me përmbysje 4-1. Pelé për pak shënoi gol nga përtej mesfushës.
Botërori i Meksikës ishte i pari që u transmetua drejtpërdrejtë dhe me ngjyra nga televizionet botërore dhe ky ishte eventi perfekt për të shijuar evolucionin e Pelesë.
Në vitin 1958 ishte i furishëm dhe i papërmbajtshëm. Në vitin 1962 ishte i brishtë, ndërsa në vitin 1966 i lënduar.
Por në vitin 1970 ai vinte plotësisht në formë, i lirë nga paragjykimet, i lirë nga presionet, me më shumë përvojë, me më shumë përqendrim dhe me një skuadër shumë herë më të kompletuar.
Skuadrën më të fortë të të gjitha kohërave, siç do ta cilësonte më vonë Pelé.
Në të tilla kushte bota pa gjenialitetin e plotë të të ashtuquajturit “Mbreti”.
Fitorja e dytë ishte 1-0 ndaj Anglisë, e cila si kampione në fuqi konsiderohej pretendente për trofeun. Emblematik shkëmbimi pas ndeshjes i fanellave mes kapitenit anglez Bobby Moore dhe numrit 10-të Pelé.
Brazili vijoi 3-2 ndaj Rumanisë ku Pelé realizoi dy gola. Në fazën me eliminim direkt përballë patën Perunë, e drejtuar nga ish-shoku i skuadrës së Pelesë në vitet 1952-62, Didi.
Por Pelé tregoi sërish cilësitë prej lideri duke nxitur një harmoni të jashtëzakonshme në fushë me një fitore fantastike 4-2 të realizuar nga golat e Rivellinos, Jairzinhos e Tostãos.
Skuadra paraqitej e mbledhur si familje. Herë pas here spikaste me simbolikat fetare nëlutjet dhe mesazhet për paqe dhe luftës kundër varfërisë.
Në gjysmë-finale u vu përballë Uruguai. Një njohje e vjetër për brazilianët, ndaj të cilëve kishin humbur finalen e botërorit 1950 në shtëpi. Pelé ishte 9 vjeç asokohe.
Të gjitha frikërat e së shkuarës u rikthyen kur Cubilla u dha avantazhin bardhekaltërve.
Por, siç do të kujtonte më vonë Pelé, frymëzimi erdhi nga besimi te skuadra. Pikërisht numri 10-të nxiti aksionin e barazimit me Clodoaldon në fund të pjesës së parë dhe me Jairzinhon dhe Rivellinon përmbysjen në pjesën e dytë.
Në minutat shtesë, kishte kohë për një tjetër magji. Një pasim i Tostão nxori Pelénë përballë portierit uruguaian Mazurkiewicz. Cilido futbollist do vraponte ta ndalonte topin, ose ta godiste, por Pelé jo.
Ai vijoi në të majtë duke gënjyer portierin. Topi kaloi në të djathtë dhe në vrapim e sipër gjuajtja e numrit 10-të kaloi për pak jashtë porte, për një rast që nëse do të ishte shënuar, do të kishte qenë një gol i jashtëzakonshëm.
Por fitorja ndaj Uruguait ishte një ngushëllim shumë më i madh se sa një gol i humbur për Pelénë.
Në finale, pritej Italia e cila në Meksikë kishte treguar të tjera shkëndija të futbollit të saj prej “catenaccio” duke eliminuar në gjysmëfinale Gjermaninë Perëndimore.
Gjithësesi në finale për të kaltrit do të kishte vend për vetëm një pjesë loje.
Në stadiumin Azteca, në praninë e mbi 100 mijë spektatorëve goli i Pelésë u barazua nga Buoninsegna.
Por pjesa e dytë pa në fushë një Brazil të jashtëzakonshëm. Tërësisht në sintoni në çdo pasim, çdo vrapim, lëvizje, dalje përpara, organizim, goditje apo dhe rimarrje zotërimi.
Gerson dhe Jairzinho dërrmuan Italinë teksa Brazili nisi të vallëzojë me pasime dhe lojë të bukur në fushë.
Por nuk mbaroi këtu.
Pak përpara fundit, Tostao kthehet pas dhe fiton një top.
Ai pason te Wilson Piazza, ky shpërndan te Clodoaldo në mesfushë, i cili vijon përtej katër lojtarëve të Italisë për të gjetur Rivellinon, ky pason në të majtë te Jairzinho, i cili e kthen te Pelé, i cili shërben në të djathtë për Carlos Alberton që vjen me rrëmbim dhe shënon me një goditje të jashtëzakonshme për golin e katërt.
Një aksion model. Një kryevepër arti. Perfeksion.
Një gol emblemë e një skuadre të cilën Pelé do ta pagëzonte më të fortën e të gjitha kohërave.
Pas eventit, Tarcisio Burgnich, i cili ishte angazhuar për të mbuluar Pelénë do të rrëfente: “Para finales i thashë vetes, edhe ai është prej mishi dhe gjaku si unë… por si duket e kisha gabim”.
*Tibo News.