
Bota të marrë masa për pandeminë tjetër më vdekjeprurëse se Covid
Shefi i OBSH-së ka paralajmëruar duke thënë që bota duhet të përgatitet për pandeminë e radhës, e cila mund të jetë më vdekjeprurëse se pandemia e Covid-19.
Gjatë takimit me asamblenë e OBSH-së në Gjenevë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ngriti alarmin duke thënë se nuk kemi shpëtuar nga pandemia.
‘Kërcënimi i një varianti tjetër të Covid që shkakton një tjetër vrull sëmundjesh dhe vdekjesh qëndron akoma. Po ashtu kërcënimi i përhapjes së një tjetër patogneni që shkakton sëmundje dhe vdekje’, deklaroi kreu i OBSH.
Megjithatë, aktualisht OBSH ka deklaruar publikisht se pandemia e Covid-19 nuk është më një emergjencë globale shëndetësore.
Shefi i OBSH-se shtoi: Kur të na trokasë pandemia tjetër, që sigurisht do të ndodhë, ne duhet të jemi gati për tu përgjigjur me vendosmëri, bashkërisht dhe efektivisht. Nëse nuk bëjmë ndryshimet e duhura, nëse nuk marrim masa, kush do t’i bëjë? Dhe nëse nuk marrim masa tani, kur do i marrim?
Pandemia e Covid mori jetët e gati 7 milionë njerëzve në botë, vetëm në SHBA vrau 1.13 milion ndërsa në New York u shënuan 80 mijë viktima.