
Bookaholic, Anisa Krasniqi: “Zorba” libër që thyen ideologji
“[…] Sapo arrita ta mbledh veten, i thashë:
– Po…ç’bën ti këtu?
Ai prapë i qetë, krejt butësisht e me ëmbëlsi shprehu dëshirën e tij, ashtu duke m’u lutur, për një diçka tepër serioze:
– Të lutem pra… vizatoma një dele!”
Këto vargje janë shkruar nga Antoine de Saint-Exupéry në librin “Princi i Vogël”. Anisa Krasniqi, studente e Gjuhë-Letërsisë, e konsideron si një nga librat që i ka ndikuar më tepër.
Anisa thotë se pëlqen te Saint-Exupéry natyrën intime që u jep dialogjeve mes personazheve. Por si librin kryesor që i ka ndikuar më shumë, ajo dallon novelën “Zorba” të Nikos Kazantzakis.
“Zorba” u botua për herë të parë në vitin 1946. Ai tregon për jetën e një intelektuali të ri grek, i cili përpiqet të gjejë shpëtim përmes personazhit misterioz Alexis Zorba.
Novela u përshtat në dramë radiofonike nga BBC në vitin 1968 duke e përhapur edhe më tepër si vepër letrare në gjithë botën.
Për këtë, duke përdorur shprehjen “me dasht asht me lexue”, Krasniqi thotë si lexuese se te kjo vepër gjen vërtetësinë, apo atë çka i ka munguar nga përditshmëria.
Lexo: Bookaholic, Gentjan Tufa: “Stacioni në Shkretëtirë” fiksim
Anisa bluan pasion për letërsinë. Ajo ka provuar edhe të shkruajë vetë pjesë ndërsa është munduar ta sprovojë veten edhe si moderatore në aktivitete bashkiake, për të cilat është vlerësuar dhe me çmime.
Rubrika “Bookaholic” sjell sugjerime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, të cilët i bën bashkë pasioni për të lexuar.
Anisa ndau me ne titujt dhe autorët që i kanë ndikuar në jetën e saj akademike.
Ajo ftoi pedagogun Elion Doçe, që të flasë gjithashtu për librat që i kanë ndikuar më tepër, kështu që ju ftojmë të na ndiqni.