
Bombardimi i konsullatës shqiptare në Ukrainë, reagon Ministria e Jashtme
Ministria e Jashtme në vendin tonë ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Rusisë për sulmin ndaj konsullatës shqiptare në Kharkiv. Përmes një njoftimi zyrtar ministria ruse e pati konsideruar “lajm të rremë” dhe se nuk kishin bomabrduar konsullatën tonë në qytetin veri-lindor të Ukrainës.
“Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”, shprehet ministria.
Kujtojmë se pak më herët rusët deklaruan se nuk kishin bombaruduar konsullatën, madje mohuan edhe bombardimin e strukturave civile në Ukrainë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dënoi sulmet që pretendohet se janë të kryera nga forcat ruse më 6 mars, si pasojë e të cilave u dëmtuan ambientet e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkov. Ne refuzojmë me vendosmëri akuza të tilla. Që nga fillimi i operacionit special në Ukrainë kemi deklaruar se Forcat e Armatosura të Rusisë nuk qëllojnë objektet e infrastrukturës civile, synojnë të përjashtojnë humbjen e jetëve në mesin e popullatës civile. Ne kërkojmë informimin e vërtetë të publikut“, u shpreh Maria Zakharova e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Prej 26 shkurtit Rusia ka nisur një ofensivë ushtarake ndaj qyteteve ukrainase duke pushtuar disa qytete në jug dhe lindje të vendit, përtej zonave lindore të kontestuara si Donetsku apo Luhansku. Mbi 2 milionë ukrainas janë larguar si refugjatë, ndërsa qindra të tjerë kanë humbur jetën për shkak të bombardimeve.
Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, kanë dënuar ashpër pushtimin ushtarak të Rusisë duke vendosur embargo ndaj çdo produkti rus, gjë që nga Moska zyrtare është konsideruar si qëndrim armiqësor.