
BMW, 870 milionë dollarë investim për automjete elektrike
Prodhuesi gjerman i automjeteve BMW do të investojë 800 milionë euro në shtetin qëndror meksikan të San Luis Potosi për të prodhuar bateri me tension të lartë dhe modele plotësisht elektrike “Neue Klasse”.
Zgjerimi, i cili ka si qëllim shtimin e rreth 1,000 vendeve të reja pune në operacionet e saj në shtetin meksikan, është shtytja më e fundit e BMW për automjetet elektrike (EVs) pasi do konvertojë më shumë se gjysmën e shitjeve të saj në makina tërësisht elektrike deri në vitin 2030.
Më shumë se gjysma e fondeve që do të investohen në Meksikë, 500 milionë euro, janë të destinuara për qendrën e montimit të baterive në terrenet ekzistuese të fabrikës së prodhuesit të makinave dhe rreth 500 punonjës shtesë do të punojnë atje.
“300 milionë euro të mbetura do të shkojnë për përshtatjen dhe zgjerimin e karrocerisë dhe ndërtimin e një linje të re montimi për të instaluar paketat e baterive. Ne do të fillojmë ndërtimin e shtesave dhe montimit të ri të baterive në fillim të vitit 2024 dhe do të fillojmë të rrisim prodhimin në fillim të vitit 2027.” – tha kreu i uzinës Harald Gottsche për Reuters.
Njoftimi vjen pas disa zgjerimeve të tjera të mëdha nga prodhuesi i automjeteve në muajt e fundit, duke përfshirë një investim prej 1.7 miliardë dollarësh në Shtetet e Bashkuara dhe një shtytje prej 2 miliardë eurosh për të ndërtuar një fabrikë të makinave elektrike në Hungari.