
Blinken konfirmon ndihmat amerikane në Ukrainë
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri publike këtë javë ndihmat e reja për Ukrainën nga Uashingtoni.
SHBA ka vënë në dispozicion një tjetër paketë financiare me vlerë rreth 1 miliard dollarë si dhe armë me vlerë 675 milionë dollarë.
“Ne e dimë se ky është një moment kyç. Më shumë se gjashtë muaj pas luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ndërsa kundërofensiva juaj tani është duke u zhvilluar dhe duke u treguar efektive,” – u shpreh Blinken në një deklaratë pasi vizitoi një spital për fëmijë dhe një qen që pikas minat, terrierin Jack Russel me emrin Patron.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u shpreh se ushtria e ukrainase ka arritur fitore në fushën e betejës në zonën e Kharkiv, në lindje të vendit, duke marrë disa qytete dhe fshatra nga forcat ruse. Ai shtoi se “çdo ukrainas ndihet krenar” për luftëtarët e tij.
Një gjeneral ukrainas tha këtë javë për Reuters se ushtria ka rimarrë rreth 435 kilometra katrorë territor dhe ka avancuar rreth 50 kilometra prapa linjave ruse.
Ky ishte vlerësimi më i detajuar publik deri më tani i kundërofensivës së vazhdueshme të Ukrainës. Deri më tani Kievi ka qenë i kujdesshëm për deklaratat në mënyrë që të mos komprometojë operacionin.
Rusia ka konfirmuar luftime në zonën e Kharkiv, por nuk ka konfirmuar ndonjë humbje.