Binance kërkon rregulla shtesë për tregun e kriptovalutave

Kreu i kompanisë së këmbimit të kriptovalutave, Binance, ka bërë thirrje për aplikimin e një kuadri më të gjerë rregullator për këtë treg.

Changpeng Zhao e bëri këtë thirrje gjatë samitit të G20-ës në Bali, ndërsa tregu i kriptovalutave po vuan pasojat e kolapsit të kompanisë rivale FTX.

Kompania në fjalë deklaroi falimentin javën e shkuar teksa mijëra klientë tërhoqën llogaritë e tyre pasi Binance braktisi bisedimet për një ujdi kreditimi.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se të paktën 1 miliard dollarë fonde të klientëve ishin zhdukur nga platforma e FTX.

Policia Mbretërore e Bahamasit tha javën e shkuar se po shqyrtonte nëse ka pasur evazion fiskal apo skema mashtrimi.

Zhao deklaroi hapur se tregu i kriptovalutave ka plot sipërmarrës dashakeqë, që luajnë me besimin e investitorëve apo klientëve që interesohen në valutat elektronike. Për këtë ai shtoi se nevojiten më tepër rregulla dhe sofistikim i hapësirës së ruajtjes së të dhënave.

Sidoqoftë kreu i Binance këmbënguli se rasti i FTX nuk është treguesi i prirjes kryesore të tregut, i cili sipas tij ka baza të shëndetshme për rritje.

Hulumtime të Reuters kanë nxjerrë në pah se themeluesi i FTX, Sam Bankman-Fried, i cili jeton në Bahamas, kishte transferuar 10 miliardë dollarë nga fondet e klientëve në kompaninë e tij tregtare, Alameda Research.

Bankman-Fried dikur shihej si fenomen i sukseseve në tregun e kriptove, ndërsa tani ai shihet si protagonisti i kolapsit më të madh të kësaj industrie.

Rrëzimi i papritur i bursës ka rrënuar gjithashtu besimin në tregun e aseteve dixhitale në tërësi.

Bitcoin po tregtohej me rreth 16,000 dollarë këtë javë, duke rënë pothuajse 22% javën e kaluar.

*Tibo News