
Bien ndjeshëm shitjet e Samsung
Fitimet e Samsung Electronics mund të kenë rënë me 25% në tremujorin e tretë të këtij viti.
Më shumë se 20 ekspertë të teknologjisë dhe ekonomisë parashikojnë se kompania koreano-jugore mund të përballet me vështirësi financiare.
Ekspertët parashikojnë që fitimet operative të kenë rënë në 8.3 miliardë dollarë gjatë tremujorit korrik-shtator.
Kjo do të ishte rënia e parë e fitimeve të Samsung që nga fillimi i krizës globale shëndetësore të viteve 2019-2020.
Analistët parashikuan gjithashtu se fitimi për biznesin e çipave të Samsung ka të ngjarë të bjerë me gati një të tretën në rreth 4.8 miliardë dollarë.
Çmimi i çipave të përdorur gjerësisht në modelet e Smartphone-ve dhe kompjuterëve ra gjatë tremujorit. Kjo prirje negative për biznesin e Samsung parashikohet të përcillet gjithashtu edhe te celularët.
Një analist vlerëson se shitjet e smartfonëve të Samsung ranë 11% në tremujor nga e njëjta periudhë e një viti më parë.
E gjitha vjen teksa klientët përballen me rritje të inflacionit dhe normave të interesit, duke ulur blerjet për pajisje të reja.
Frika nga recesioni është rritur gjithashtu së bashku me pasigurinë e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Gjithçka ka trazuar edhe aksionet e Samsungut, që kanë rënë pothuajse me një të tretën këtë vit.
*Tibo News.