
Bie çmimi i grurit në bursa
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia që çliroi eksportin e drithit ukrainas të bllokuar prej muajsh nga ushtria ruse ka patur një ndikim të drejtëpërdrejtë në reduktimin drastik të çmimit të ushqimeve.
Diten e dielë , katër anije që transportonin drithëra dhe ushqime, janë nisur nga portet ukrainase.
Organizata për Bujqësinë dhe Ushqimin pranë Kombeve të Bashkuara ka njoftuar rënien me 8.6% të Indeksit mujor të çmimeve të ushqimeve në të gjithë botën.
Bëhet fjalë për reduktimin më të madh mujor që prej vitit 2008.
Sipas kësaj organizate, marreveshja që garantohet nga pala turke për eksportet e grurit po jep sinjale pozitive sidomos për ato vende që po vuajnë nga kriza e urisë.
Megjithatë, ekspertët thonë se tregu global i ushqimeve vijon të mbetet i mbërthyer nga pasiguritë, për shkak të presionit të çmimit të plehrave kimikë, prodhuesi më i madh i të cilëve është Rusia.
Indeksi i Çmimeve të Ushqimit bazohet në çmimet globale për 23 kategori të mallrave ushqimore që mbulojnë 73 produkte të ndryshme.