Biden pas Trumpit në pesë nga gjashtë shtetet më të rëndësishme për zgjedhjet

Presidenti demokrat Joe Biden renditet pas kandidatit kryesues republikan Donald Trump në pesë nga gjashtë shtetet më të rëndësishme për betejën elektorale, një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet e publikuara të dielën duken si një reflektim i pakënaqësive në mesin e amerikanëve lidhur me moshën e Presidentit Biden apo gjendjen e ekonomisë.Anketimet u bënë nga gazeta The New York Times dhe Kolegji Siena. Zoti Trump, i cili kryeson ndër kandidatët republikanë për të marrë emërimin si kandidat i kësaj partie për vitin 2024, kryeson në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Nevada dhe Pensilvani, ndërsa Presidenti Biden kryeson në Uiskonsin.

Presidenti Biden e mundi ish-Presidentin Trump në të gjashta këto shtete në zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump merr tashmë mesatarisht nga 44 – 48% mbështetje në këto shtete, thuhet në anketime.