Biden: Mohimi i ndihmës për Ukrainën, “dhuratë Krishtlindjesh” për Putinin

Presidenti Joe Biden paralajmëroi republikanët të martën se do t’i bënin Rusisë një “dhuratë Krishtlindjesh” nëse nuk do të miratonin ndihmën ushtarake shtesë për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Zoti Zelenskyy udhëtoi në Uashington për të kërkuar fonde për të mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë, por ai u përball me një pritje skeptike nga ligjvënësit kryesorë republikanë.

Ai tha të martën se vendi i tij po luftonte për “lirinë tonë dhe tuajën” po megjithë diplomacinë e tij intensive në Uashington, ndihma shtesë për Ukrainën është në dyshim serioz.

Mike Johnson, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nuk do ta mbështeste kërkesën e presidentit Biden për t’i dhënë Ukrainës 61.4 miliardë dollarë. Ai tha pas takimit me Presidentin Zelenskyy se administrata e Presidentit Biden duhet të japë më shumë detaje se si do të përdoren fondet.