
Biden kërkon mandatin e dytë: Të mbarojmë punën e nisur
Presidenti amerikan Joe Biden mbajti fjalimin e radhës për gjendjen e vendit ku përcolli një mesazh optimizmi dhe bashkimi për të ardhmen. Ai u shtriu dorën e bashkëpunimit republikanëve dhe paraqiti vizionin e tij për të rimëkëmbur klasën e mesme.
“Të mbarojmë punën e nisur”, ishte ky mesazhi kryesor i Biden në këtë fjalim, që më shumë nënkuptonte zyrtarizimin e kandidaturës së tij për një mandat të dytë.
Gjithashtu, një pjesë të mirë të mesazhit të tij e kishte për rimëkëmbjen ekonomike. Në lidhje me luftën në Ukrainë, presidenti amerikan shprehu edhe njëherë angazhimin se SHBA dhe aleatët do të qëndrojnë pranë popullit ukrainas dhe kundër agresionit të Putin.
Nën hijen e hetimeve për menaxhimin e dokumenteve të klasifikuar, Biden tha se ai dhe partia e tij janë në pozicionin më të mirë për 4 vite të tjera lidership. “Vendet e punës dhe krenaria po kthehen, për shkak të zgjedhjeve që kemi bërë dy vite më parë”.
Biden foli edhe për çështje të tjera të ndjeshme si dhuna nga armët, forca e ekzagjeruar e policisë, kriza e varësisë nga droga dhe imigracioni. Por ai u zotua gjithashtu të mbrojë integritetin e vendit në vazhdën e incidentit me balonën përgjuese të Kinës, dhe të qëndrojë krah Ukrainës për sa kohë të jetë e nevojshme. Me gjithë fokusin e presidentit tek arritjet e administratës së tij, sondazhet tregojnë se mbështetjet e publikut janë në pikën më të ulët të presidencës. Biden foli para një salle të mbushur me personalitete të njohur; përfshirë vokalistin e U2, Bono Vox.
M.H/TiboNews*