
Biden ashpërson gjuhën ndaj Trump
Presidenti Joe Biden e përfundon pothuajse çdo fjalim duke thënë se është më optimist se kurrë më parë për drejtimin që ka marrë vendi. Por rishtazi, ai ka folur për një të ardhme shqetësuese për vendin, në rast se Donald Trump-i do të bëhej sërish president.Presidenti Biden ka akuzuar gjatë ditëve të fundit ish-presidentin republikan se është “i vendosur të shkatërrojë demokracinë amerikane” dhe se po kërkon “hakmarrje” dhe “shpagim”.Nga fushata elektorale e Presidentit Biden po dërgohen nëpërmjet postës elektronike mesazhe me paralajmërime të forta, si: “Amerika e Trump-it në 2025: Ndalim mbarëkombëtar i abortit”, si dhe “Kampe përqendrimi masive”.
Ish-Presidenti Trump ka propozuar organizimin e atij që e quajti operacioni më i madh në historinë amerikane për të arrestuar dhe larguar emigrantët. Por ai nuk ka mbështetur një politikë për një ndalim në rang federal të abortit. Në të gjitha rastet nxjerrja në pah e kontrastit mes Presidentit Biden dhe ish-Presidentit Trump do të kishte qenë një element qendror i strategjisë së demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Por më parë ish-Presidenti Trump përmendej vetëm shkurtimisht, ose aspak, në fjalimet e Presidentit Biden.