
Betohet Gent Ibrahimi, Gjykata Kushtetuese zyrtarisht me 9 anëtarë
Gjykata Kushtetuese ka tashmë zyrtarisht anëtarin e saj të 9-të, Gent Ibrahimin, i cili kreu të martën betimin para Presidentit Bajram Begaj.
Me dorën në Kushtetutë, Ibrahimi, u betua se do të mbrojë frymën e rendit dhe ligjit që ajo përfaqëson për shtetin Shqiptar.
Begaj i uroi suksese Ibrahimit në detyrën e re teksa në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Sokol Binaj, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca përfaqësues të OPDAT pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit.
Ish-kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi nis kështu zyrtarisht punën si anëtari i 9-të i Gjykatës Kushtetuese.
Ai u dekretua nga Begaj më 7 dhjetor, ndërsa e merr këtë detyrë për të plotësuar vakancën e krijuar pas mbarimit të mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo.
Pas mungesave të krijuara nga procesi i vettingut, Gjykata Kushtetuese e nisi punën në dhjetor 2020, pasi u plotësua kuorumi me 7 anëtarë.
Aktualisht, me shtimin e Ibrahimit në radhët e saj, ajo ka në përbërje 9 anëtarë.
Por kush është Gent Ibrahimi?
Ai është diplomuar për drejtësi në Tiranë dhe më pas ka thelluar studimet në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Evropës Qendrore, në Hungari. Në Shqipëri karrierën e ka nisur si pedagog ku prej vitesh ka kontribuuar në botime shkencore, por edhe në hartimet e ligjeve të rëndësishme .
Përveç drejtimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ibrahimi ka drejtuar për pothuajse 19 vjet Institutin për Studime Publike dhe Ligjore, një organizatë e shoqërisë civile me orientim kërkimor/shkencor në fushën e qeverisjes dhe sistemit të drejtësisë.
*Tibo News.