
Beteja e fituar e Novak Djokovic
Tenisti kampion Novak Djokovic ka fituar çështjen gjyqësore në Australi, ku u ndalua dhe nuk u lejua të hynte në Melburn për shkak të rregullave anti-Covid.
Tenistit serb iu anulua viza dhe ndërkohë u dërgua në një qendër paraburgimi deri në vendimin e Gjykatës, pasi ai nuk rezultonte të kishte bërë vaksinën anti-Covid.
Mediat ndërkombëtare i bënë bujë vendimit të gjykatësit në Melburn, Anthony Kelly i cili urdhëroi shfuqizimin e anulimit të vizës së tenistit menjëherë.
Kjo do të thotë se viza e tij tani është e vlefshme dhe ai mund të hyjë në Australi.
Avokatët e tenistit 34 vjeçar kanë thënë se Djokovic është infektuar së fundmi me koronavirus dhe ai dokument i ka siguruar shmangien nga rregulloret e Covid në Australi. Gjithashtu ata pretendojnë se tenisti nuk është njoftuar mbi rregullat e udhëtimit kur ka prerë biletën.
Djokovic tashmë mund të ketë mundësi të luajë në turneun Australian Open dhe të fitojë titullin e 21-të Grand Slam.