Berisha: Unë si Navalny, Rama si Putin! Kërkon të më arrestojë pa asnjë provë

Në deklaratën për mediat, Sali Berisha u ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që e kanë akuzuar se nuk po përfill Gjykatat, Prokurorinë, pra në tërësi institucionet e drejtësisë.

“Kam përfillur Gjykatën, kam dërguar avokatët e mi. Kam përfillur prokurorinë dhe kam dërguar përballë tyre avokatët e mi, kam përfillur komisionin parlamentar dhe kam dërguar avokatët e mi, kam përfillur GJK, por çfarë nuk kam përfillur unë, nuk kam përfillur vendimin anti-kushtetues të një gjykatëseje e cila është shkarkuar nga Berisha në 8 shkurt 1996 dhe në përputhje me ligjet e këtij vendi,. Vendimet e Gjykatave për mua janë ligj, por ligjet kanë hierarkinë e tyre, në hierarkinë e tyre Kushtetuta është ligji suprem, Kushtetuta urdhëron çdo qytetarët që të mos pranojë asnjë vendim antiligjor. Pra në këtë betejë unë nuk bëra gjë tjetër veçse mbrojtja Kushtetutën”, u shpreh ai.

Ndër të tjera ai bëri edhe një kraahsim: “Putin ka zhdukur Navalny se ka frikë se mos regjistrohet si kandidat për president, Putin e ka frikë Navalny edhe në burg, Rama bëri të njëjtën gjë, nuk lejoi emrin tim të regjistrohet si kryetar i koalicionit, nuk lejoi as regjistrimin e PD nga frika dhe tmerri dhe ja ku jemi sot me një zinxhir të veprimeve antikushtetuese ka vendosur të dënojë me arrestim Berishën, pa asnjë fakt, pa asnjë provë”, tha ai.

Berisha shtoi se në procesin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, asnjë dokument nuk është firmosur nga vetë ai.

Ish-kryeministri Sali Berisha u kujdes që të theksonte se betejën e opozitë të ndërmarrë muajt e fundit, nuk e ka nisur për qëllime apo interesa personale. Për Berishën, kjo ka ardhur për shkak se është i bindur për një fitore të opozitës për rrëzimin kryeministrit Edi Rama.