Berisha: Nuk protestojmë për refugjatët, por do i drejtohemi Kushtetueses

Sali Berisha i dha garanci mikut të tij, numrit dy të qeverisë italiane Antonio Tajani, se nuk do të ketë protesta lidhur me marrëveshjen për azilkërkuesit, por kjo nuk do ta pengoje opozitën që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur atë antikushtetuese pas miratimit nga parlamenti në seancën plenare të 21 Dhjetorit.

Berisha pranon se ka pasur debate për këtë çështje në mbledhjen e grupit parlamentar që u zhvillua këtë të enjte ndërkohë që dhe vota e tij ishte pro çuarjes së kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Të njëjtin qëndrim e rikonfirmoi edhe Gazment Bardhi. Qëndrimin e grupit për të vijuar me çdo kosto betejën për rivendosjen e pluralizmit në parlament, Sali Berisha e ndau edhe me demokratët e Elbasanit gjatë turit të dëgjesave. Ish-Kryeministri ka paralajmëruar më herët se nuk do të ketë asnjë negociatë në kurriz të Kushtetutës, deri në plotësimin e të drejtave të kërkuara nga opozita për ngritjen e 8 komisioneve hetimore parlamentare, marrjen në shqyrtim të 33 nismave të saj ligjore dhe plotësimit të anëtareve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.