Berisha konfirmon kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike

Berisha tha se ai do të kandidojë për kreun e partisë, ndërkohë theksoi se fton edhe kandidatët e tjerë të bëhen pjesë e garës.

Që të të them se më detyron të përsëris përgjigjen padiskutim që unë do të jem  në garë të hapur dhe ftoj cilin do koleg, që dëshiron të garojë është i mirëpritur në një garë të ndershme me rregulla.

“Që të të them se më detyron të përsëris përgjigjen padiskutim që unë do të jem  në garë të hapur dhe ftoj cilin do koleg, që dëshiron të garojë është i mirëpritur në një garë të ndershme me rregulla”, tha Berisha. Ish-kryeministri iu rikthye edhe shpalljes së tij ‘non grata’ nga SHBA, duke thënë se vendimi është marrë me ndikimin e Xhorxh Soros.

Berisha deklaroi se merr ‘çdo vendim ndaj vetes’, duke nënkuptuar largimin nga politika nëse bëhen publike prova dhe fakte se ai dhe fëmijët e tij kanë përfituar nga fondet publike.

“Në momentin që do të publikohet një fakt i vetëm që unë apo fëmijë e mi – një provë e vetme se unë apo fëmijët – kanë përfituar nga fonde publike qoftë dhe një qindarkë unë marr çdo vendim ndaj vetes sime. Për ndryshe qëndroj shqiptar krenar, i pa lëkundur në besimin e dinjitetit njerëzor dhe sovranitetin tim”, deklaroi ish-kreu i PD.

Ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij nuk do t’i lejohet pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata janë përcaktuar nga DASH si persona që u ndalohet hyrja në SHBA.

Vendimi u konfirmua në maj 2021 nga Sekretari i DASH, Antony Blinken, i cili tha se ky vendim u mor ‘për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri’.

Sipas Blinken, Berisha është përfshirë ‘në akte korruptive, si keqpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja me proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime vetjake dhe pasurimin e aleatëve të tij politik dhe të anëtarëve të familjes’.

Disa muaj pas shpalljes ‘non grata’, në shtator 2021, Lulzim Basha e pezulloi Berishën si anëtar të grupit parlamentar të PD, veprim që çoi në përçarje të PD.