
Berisha iu shtrin dorën deputetëve të PD, por vijon beteja në KAS
Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha iu ka shtrirë dorën për bashkim deputetëve të Partisë Demokratike, edhe atyre të rreshtuar nga Lulzim Basha.
Sali Berisha dha detaje mbi mbledhjen e njoftuar nga Gazment Bardhi, teksa tha se u morën vendime të rëndësishme.
“Unë e kuptoj se ju doni të rrëmoni në çdo lloj, por të jeni të sigurt se pozitiviteti i këtij takimi do ti zgjidhë të gjitha kureshtjet tuaja. Sigurisht që këtu nuk ishin sot deputetët e Partisë së Lirisë, të cilët janë opozitar të vendosur, por ftesa ime është për çdo deputet që është i vendosur të luftojë këtë regjim të bashkojmë forcat për një fitore të sigurtë në zgjedhjet e ardhshme.
U morën vendime shumë të rëndësishme. Na bashkoi përgjegjësia e lartë morale, ligjore dhe e gjithanshme që kemi para 620 mijë zgjedhësve idealistë që votuan në datën 14 maj kundër Edi Ramës, ndonëse në zgjedhjet më të pandershme, të palira, më të padrejta të bëra ndonjëherë.“
Por beteja mes dy fraksioneve vijon, pasi debati tashmë është zhvendosur edhe në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve.
Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha ka kundërshtuar vendimin e KQZ-së për t’i dhënë koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ dy komisionerë dhe sekratarin e KZAZ-së, për zgjedhjet në bashkinë e Kukësit. Zgjedhjet në këtë bashki do të mbahen më 24 shtator.