
Ben Blushi rikthehet me libër në panair pas 6 vitesh mungesë
Gjashtë vite pas botimit të fundit, Ben Blushi rikthehet me një libër ndryshe. Titullohet “41 sekrete” dhe përcjell në një stil lakonik bisedat të prera, të rikrijuara në mënyrë artistike nga takimet me 41 personazheve, që Blushi i ka hasur gjatë udhëtimeve teksa ushtronte pasionin për fotografinë.
Bisedat e Blushit në librin e tij nuk janë intervista të mirëfillta, të realizuara me regjistrime audio ose video, por rikrijime tipike të një shkrimtari, i cili dikton anë të veçanta nga çdo përjetim dhe i shton qasje artistike edhe një takimi të thjeshtë.
I njohur kryesisht për tregimet dhe romanet e gjata si “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, me “41 sekrete”, Blushi ka eksperimentuar duke synuar të tregojë historinë e Shqipërisë së sotme dhe e asaj të 100 viteve të fundit përmes historive personale të 41 personazheve.
Zhvillimi i teknologjisë dhe platformave sociale e ka bërë më dinamike dhe të shpejtë mënyrën se si audienca po e përcjell përditshmërinë. Kjo po ndikon edhe në letërsi ku Blushi analizon se gjithmonë e më shumë letërsia po i ngjan Instagramit, ku gjërat që ecin janë ato më të shkurtrat e më të thjeshtat.
Por pse kaq gjatë pa shkruar libra? Blushi thotë se angazhimi në media si drejtues, pasi u shkëput nga politika në vitin 2018, ia bëri të pamundur për t’u marrë me letërsi. Por situata ka ndryshuar vitin e fundit ku siç thotë ai “ka pasur një periudhë më të relaksuar”.
Pas një karriere prej rreth dy dekadash, Blushi u tërhoq nga politika në vitin 2018, pasi udhëhoqi një nismë të re të quajtur “Lista e Barabartë”, ose shkurt LIBRA. Ky organizim mori rreth 20 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2017, por gjithsesi nuk kapitalizoi dot mandate në parlament.
Më 1 nëntor të këtij viti Blushi kujtoi themelimin e LIBRA-s përmes një statusi në Facebook. Mes plot shpjegimesh për vendimin që mori asokohe, ai e përkufizon nismën si “një çmenduri” dhe në fund duket sikur lë të hapur një shteg rikthimi, teksa thotë se “njerëzit mund të çmenden më shumë se një herë […] Ku i dihet”.
I pyetur për këtë pjesë ai e kalon me shaka duke theksuar se “diçka e tillë do të merret vesh”.
*Tibo News.